Brenda 5 ditësh Kryebashkiaku duhet të paraqitet në polici

Agim Kajmakut, kryetarit të ri të Bashkisë së Vorës, i është kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të japë shenjat e gishtërinjve, në kuadër të hetimit që prokuroria ka nisur për të, për falsifikimin e formularit të Dekriminalizimit.

Kërkesa ka shkuar pranë subjektit dhe brenda 5 ditëve ai duhet të paraqitet në laboratorin e Policisë Shkencore për të kryer procedurën. Pasi të marrë shenjat, prokuroria do të nisë disa letër-porosi drejt Greqisë, ku sipas disa dokumenteve të bëra publike nga Partia Demokratike, Kajmaku është arrestuar në vitin 2003 për përdorimin e parave false dhe shpërndarjen e tyre.

Krahasimi i shenjave të gishtave është më rëndësi për hetimin, pasi para 16 vjetësh, Agim Kajmaku mbante identitetin Jorgo Toto. Prej asaj kohe ai nuk ka shkelur më në vendin fqinj.

Agim Kajmaku e ka deklaruar në formular se ka përdorur një emër tjetër. Por pyetjeve nëse ka qenë i ndaluar, arrestuar apo ka pasur ndonjë masë siguri në një vend tjetër, ai i është përgjigjur negativisht.

Prokuroria do të hetojë Kajmakun për falsifikimin e formularëve dhe rrezikon dënimin me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet. Agim Kajmaku është i zgjedhuri i dytë nga 30 Qershori që hetohet nga prokuroria për këtë akuzë.

Valdrin Pjetri, i shpallur fitues në Shkodër, pranoi se ishte ai person i dënuar në vitin 2003 në Itali për trafik droge. Për këtë arsye ai nuk pranoi të marrë detyrën e qytetarit të parë të Shkodrës.

Tv Klan