Prokuroria kërkon 14 vite burg për Arbër Çekajn

Prokuroria kërkon 14 vite burg për Arbër Çekajn

11:23 20/11/2019

39-vjeçari: Nuk jam unë trafikanti i 613 kg kokainë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 14 vite burg për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbi Garden” në kontenierët e së cilës ishin fshehur 613 kilogramë kokainë. Në kërkesën e saj, prokuroria llogariti uljen e dënimit për shkak se procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar.

Për shoferin e kamionit që transportoi kontenierët nga Porti i Durrësit drejt kompanisë në Maminas, Armando Pezakun, u kërkuan 8 vite e 8 muaj burg, ndërsa për menaxherin e kompanisë Donaldo Lushaj u kërkuan 10 vite e 8 muaj burg.

Gjatë leximit të pretencës prokuroria akuzoi Çekajn si organizator të grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Sipas prokurorit Edvin Kondili, kokaina ishte ngarkuar në momentin që kontenieri ishte dërguar në një servis në Kolumbi, me pretekstin se kishte disa vida për të rregulluar.

Prokuroria ka nisur një tjetër procedim me dyshimin se tre të arrestuarit nuk kanë vepruar të vetëm, por pa dhënë ndonjë emër konkret. 39-vjeçari Çekaj i mohoi akuzat e prokurorisë. Ai kërkoi pafajësi, duke u shprehur se prokuroria dhe policia urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim fshehjen e trafikantëve të vërtetë.

Policia e Prokuroria e Krimeve të Rënda dekonspiruan operacionin, e vunë në dijeni trafikantët e vërtetë. Në dorëzimin e kontrolluar normal, pa dekonspirime, çdo gjë do të ishte mbajtur e fshehtë dhe nuk do të ishte kontrolluar ngarkesa një herë në portin e Durrësit, e as nuk do të ishin thirrur punonjësit e kompanisë time për të shkarkuar frutat në port, por kjo u duhej për të krijuar alibinë, sepse trafikantët e lajmëruar, nuk do ta merrnin më kurrë drogën e fshehur në kontenierin e CMA-CGM-së”.

Edhe dy të arrestuarit e tjerë, nëpërmjet avokatëve të tyre, i mohuan akuzat e prokurorisë. Ata kanë kërkuar prova konkrete në lidhje me implikimin e tyre në trafikimin e sasisë rekord të kokainës.

Tv Klan




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi