Arma e krimit dërgohet në laboratorin e kriminalistikës për ekspertizë

Prokuroria kërkon burg për 28-vjeçarin Marjus Dema, i cili vrau shokun e tij Mehmet Qema mbrëmjen e së martës në rrugën “5 Maji”.

Në dosjen që tashmë ka mbërritur në gjykatë, hetuesit kanë ngritur ndaj tij akuzës e vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, por prokurori mund të bëjë rikualifikim të veprës penale për shkak se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në mënyrë aksidentale.

Sipas deklarimeve të miqve të viktimës dhe autorit rezulton se Marjus Dema, i cili u vetëdorëzua disa orë pas krimit, nuk ka dashur që të vrasë shokun e tij, por gjithçka ka qenë një shaka mes tyre. Arma e krimit është dërguar në laboratorin e kriminalistikës për ekspertizë më të thelluar. Pistoleta do të testohet për të parë nëse është përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale.

Ndërkohë për 4 të dyshuarit e tjerë që ishin në tavolinë me Mehmet Qemën, organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore për të zbuluar veprimet e tyre në fshehjen e krimit dhe manipulimim e vendngjarjes.

Vrasja e Qemës zbuloi edhe një tjetër çështje që është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Në lokalin ku ndodhi ngjarja në katin e dytë janë gjetur  dy makineri të cilat përdoreshin për prodhimin e kriptomonedhës, Bitcoin. 

Zbulimi i këtyre pajisjeve u bë rastësisht nga uniformat blu, të cilat po kërkonin për serverin e kamerave të sigurisë për të hedhur dritë mbi ngjarjen. 

Ekspertët e kibernetikës thonë se pajisjet që tashmë janë sekuestruar, ishin në fazën testuese për prodhimin e Bitcoin. 5 të dyshuarit pritet që të përballen të premten me gjykatën për caktim të masave të sigurisë.

Klan News