Fadil Kasemi, i cili vrau me armë ish-bashkëshorten e tij gjyqtare Fildez Hafizi, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda duhet të dënohet më burgim të përjetshëm.

Në përfundim të hetimeve për krimin e rëndë që tronditi Tiranën një vit më parë, organi i akuzës ka kërkuar që autori ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Ndaj 53-vjeçarit janë ngritur tri akuza, ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’, ‘Rrëmbim e mbajtje peng personi’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.

Në  31 Gusht të vitit 2017  ish-gjyqtarja Hafizi u qëllua me tre plumba nga ish-bashkëshorti teksa po futej në makinën e saj të parkuar në zonën e Xhamllikut.

Gjatë seancave të mëparshme gjyqësore, Kasemi kërkoi që të aplikohej gjykimi i shkurtuar, por kjo kërkesë u rrëzua pasi me ndryshimet në Kodin e ri Penal, për krimet në familje nuk pranohet gjykimi shkurtuar.

53-vjeçari ka shpjeguar se me ish-gruan ka pasur marrëdhënie shumë të mira, deri në momentin kur ajo fitoi studimet për në shkollën e Magjistraturës në vitin 2015.

Tv Klan