Për vrasjen e Eduart Kozit, prokuroria ka kërkuar të pushohet çështja ndaj karabinierit dhe rojes së sigurisë që qëlluan me armë drejt makinës së tij.

Ngjarja ndodhi pas një grabitje në Perugia. Kozi, sëbashku me disa anëtarë të tjerë grabitën një dyqan mëngjesin e 4 Tetorit, por pasi u ngrit alarmi, ndaj tyre u vunë në ndjekje karabinierët dhe policia private.

Gjatë arratisjes pati shkëmbim zjarri dhe u mësua se ndaj bandës qëlluan karabinierët dhe policia private.

Automjeti i grabitësve u gjet i braktisur disa orë pas ngjarjes dhe brenda mjetit u zbulua trupi i pajetë i shqiptarit. Menjëherë pas kësaj, prokuroria nisi hetimet për karabinierët dhe rojen e sigurisë që qëlluan mbi shqiptarin me akuzën e vrasjes me dashje.

Por tashmë prokuroria ka dalë në konkluzionin se çështja duhet pushuar. Sipas prokurores Mara Pucci, karabinieri nuk ka pasur për qëllim të  godasë shqiptarin, por makinën.

Sipas prokurores, karabinieri ka vepruar në mënyrë të ligjshme, pasi ka qëlluar për të ndaluar një vepër penale e cila po ndodhte. Sipas saj, ai ka vepruar për të mbrojtur edhe rojen e sigurisë, i cili është përfshirë në këtë ngjarje./tvklan.al