I ftuar në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, zv/prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi i ka bërë kritika Policisë së Shtetit për operacionin e makinave të luksit dhe pasurisë kriminale të koduar “Vjeshtë 2017”.

Sipas prokurorit Muçi, një plan veprimi i tillë kërkonte përgatitje para se policia të dilte në terren për një operacion të përmasave të tilla.

Prokurori Besnik Muçi: Mundet që këto lloj operacionesh para se të zhvillohen të krijojnë një përgatitje paraprake. Që këto operacione të jenë efiçente kërkojnë ndoshta, jo vetëm këtë lloj krimi por edhe krime të tjera, që para se policia të bëjë veprime të hapura në terren publike, mund të kërkojë një përgatitje paraprake, një studim të mirë të situatës.

Gazetari Spartak Koka: Në kontrollet e mjeteve të tilla, ku edhe një biznesmen mund të kapet apo të futet në këtë pjesën e kësaj, a mund të jenë më të kujdesshme ashtu siç ju e thatë?

Prokurori Besnik Muçi: Kur thua mund, gjithmonë ke mundësi. Këto janë operacione që janë brenda zbatimit të ligjit, brenda natyrës funksionale të policisë.

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato: Normalisht ne mund të bëjmë edhe gabime gjatë punës. Gjatë kontrolleve ka patur raste që gabimisht u janë bërë kontrolle njerëzve me personalitet, që kanë biznese, por thjesht ai perceptimi i parë kur shikon dhe kemi kërkuar dhe ndjesë. Janë raste të shkëputura.

Spartak Koka: Qëllimi është i mirë, të goditen grupet kriminale, por mos të goditen individët e thjeshtë.

Altin Qato: Për të luftuar krimin policia punon normalisht në rutinë sipas detyrave të veta, bën edhe operacione të veçanta siç kemi këtë rast. Biles ne tani po përgatitemi të bëjmë edhe një operacion më të fuqishëm për një dinamikë tjetër. Por nuk do të thotë që shmangin vëmendjen nga të tjerat. Gjatë rutinës kemi fokuset tona. /

tvklan.al