Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u pyet në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me hetimin që po kryhet për kontratat e lobimit të Partisë që ai drejton, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u paraqit rreth orës 9:20 minuta të mëngjesit dhe ka qëndruar rreth një orë në zyrën e prokurorit Gjergji Tako, në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin.

Basha refuzoi javën e shkuar të shkonte në prokurori, por në dalje tha se u paraqit pasi hetuesit hoqën dorë nga kërkesa e tyre për ta njohur me letër-porositë, duke e thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni. Për Bashën PD nuk ka shkelur asnjë ligj, por është prokuroria që po përdoret politikisht.

Hetimi i hapur tashmë prej një viti e gjysmë bëhet mbi bazën e nenit 190 për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra çështja që po hetohet me kërkesë të Partisë Demokratike, është nëse këta formularë janë mbushur apo jo siç duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria, e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike. Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka më shumë se gjashtë muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, nga Skocia, të cilat vërtetojnë se as Partia Demokratike, as një drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britaninë e Madhe.”

Basha u pyet për letër-porositë e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara, por ai i shmangu komentet.

Basha: I kam kërkuar Prokurorisë dhe ju nxis ju t’i kërkoni t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Kur jeni njohur me letërporositë?

Basha: Sot.

Çfarë thoshin letërporositë?

Basha: Unë edhe njëherë ju nxis t’i kërkoni prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e ardhura prej më shumë se gjashtë muajsh nga SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.

E pyetur për këtë çështje, Prokuroria e Tiranës rrëzoi pretendimet e Bashës. Në një reagim zyrtar të shpërndarë për mediat, prokuroria thotë se ka dyshime të bazuara në prova se Partia Demokratike ka diferencë të madhe shifrash mes asaj që ka deklaruar zyrtarisht dhe shpenzimeve që ka bërë.

“Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.”

Një pjesë e 650 mijë Dollarëve të padeklaruara, sipas Prokurorisë, vijnë nga kompania ‘Biniata Trade’, që rezulton të ketë pronarë dy shtetas rusë.

“Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade. Sipas akteve të ardhura nga letërporositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”.

Partia Demokratike reagoi duke e cilësuar njoftimin e Prokurorisë si vetëdiskretitues.

“Dalja me konkluzione hetimore ende pa përfunduar hetimin, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, tregon se Prokuroria po përdoret politikisht dhe po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës së vendit”.

Në Prokurori këtë të henë u  pyetën edhe tre zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike. Ka dhënë sqarime Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, paraardhësi i tij Arben Ristanin, edhe financieri Ilir Dervishi. Në përfundim të marrjes në pyetje asnjeri prej tyre nuk pranoi të bënte komente për mediat.

Tv Klan