Rrëzohet amendameti i opozitës për përgjimet

Komisioni për Çështjet Europiane në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut miratoi pa ndryshime projekt-ligjin e shumicës për Prokurorinë Publike. Komisioni rrëzoi amendamentet e deputetëve të opozitës Pançe Minov nga VMRO-DPMNE dhe Syrja Rashidi nga Aleanca për shqiptarët, që parashikonin pranimin si provë nga prokuroria edhe të përgjimeve. Këtë refuzim, Rashidi e konsideroi si përpjekje për të mbrojtur kriminelët.

Pjesa më e madhe e amendamenteve ose kërkesave tona u pranuan dhe u inkorporuan në ligj. Mirëpo propozimi final i ligjit ndryshoi, sidomos neni 110 dhe dilema që kemi pas ne, ka qenë se mos vallë me këtë ndryshim tentohet një lloje amnistie të krimit dhe të kriminelëve”.

Për të kundërshtuar rrëzimin e amendamenteve, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antionio Milloshoski publikoi një audio-përgjim që sipas tij fakton përfshirjen e ish-kryeministrit Zaev në afera korruptive.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë teknike nga radhët e opozitës tha se ky përgjim ishte një arsye më shumë, pse përgjimet duhen pranuar si prova.

Megjithatë projektligji parashikon që përgjimet të merren si indicje për të nisur hetimet, për të shmangur destabilizmin e vendit nga përgjimet bombë, që rrëzuan ish-kryeministrin Gruevski.

Tashmë i takon kryeparlamentarit Talat Xhaferi të përcaktojë seancën e votimit përfundimtar të projektligjit.

Xhaferi ka thënë se do e paraqesë atë për votim kur të garantohen 80 votat e nevojshme për miratim.

Tv Klan