Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Kjo kërkesë e Prokurorisë drejtuar Gjykatës Themelore ka ardhur pasi dy herë Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një përgjigje për TV Klan ka bërë të ditur se kërkesa po shqyrtohet nga Gjykata.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga Gjykata.”
Prokuroria Speciale e kishte ftuar Kryeministrin në detyrë për dëshmi më 11 Dhjetor.
Që atëherë, Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të japë dëshminë, por ka theksuar se prokurorët mund ta intervistojnë në zyrën e tij, një praktikë që sipas tij është ndjekur edhe më parë.
Çështja e rezervave shtetërore përfshin si të dyshuar një afarist dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Tv Klan