Në dosjen hetimore evidentohet se kontrollorët e arrestuar detyruan kolegët për të firmosur

Zbardhet kërkesa e prokurorisë së Tiranës për 3 kontrollorët e arrestuar të enjten, pas nisjes së grevës, duke shkaktuar bllokim të Aeroportit të Rinasit. Në dosjen që Klan News ka siguruar shfaqen komunikimet që kanë kryer kontrollorët me njëri-tjetrin në aplikacionin WhatsApp.

Grupi i hetimit në bazë të bisedave ka arritur të provojë se Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini kanë ndikuar tek kontrollorët që të plotësojnë formularin për paaftësi të përkohshme në punë. Në disa raste prokuroria thotë që të dyshuarit e kanë plotësuar formularin e paaftësisë edhe për kolegët e tyre, ndërsa me ata që kanë kundërshtuar kanë bërë debate deri sa i kanë bindur për të firmosur.

Kontrollori Kujtim Malko ka rrëfyer para grupit të hetimit se ai ka bërë debat me Flora Ndrecën pasi nuk ka pranuar që të plotësojë formularin. Më pas ata kanë debatuar për disa minuta rreth plotësimit të deklaratës. Por në bazë të ligjit kontrollorët nuk duhet që të zihen në vendin e punës dhe Malko i ka kërkuar Flora Ndrecës që të largohet nga kulla dhe ta linte që të punonte i qetë. Kujtim Malko u ka treguar hetuesve se kolegia e tij e ka fyer duke iu drejtuar me fjalët se ‘ti nuk je burrë’ pasi nuk ka pranuar të plotësojë formularin e paaftësisë në punë. Më pas Malko i është kthyer duke i thënë që të largohej nga kulla ndryshe do ta hidhte poshtë.

Në bazë të deklarimeve të personave që kanë dijeni për ngjarjen, por edhe të zbardhjes së komunikimeve mes tyre në WhatsApp, prokuroria i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë arrest në shtëpi për Flora Ndrecën, ndërsa për Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg. Në dosjen e prokurorisë  thuhet se tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar grevën e 65 kontrollorëve. Gjykata e Tiranës të shtunën në orën 08:30 do të dëgjojë palët dhe do caktojë masat e sigurisë për ta.

Klan News