Skandali/ Prokuroria çon për pushim në gjykatë çështjen e Antonio Karafilit

Në fund të muajit Tetor 2020, emisioni Stop në Tv Klan transmetoi rastin e 18-vjeçarit të ndjerë Antonio Karafili, i cili u gjet i varur në pyllin e Voskopojës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në datë 14 Qershor 2018.

Personi që e pa për herë të fundit në jetë Antonion, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari 17 vjeç nga Korça. Ajo tregoi se atë ditë rreth orës 17:00 u takua me xhaxhain e saj dhe djalin e xhaxhait, për të sqaruar një sherr mes këtyre të fundit dhe Antonios.

Kejsi tha se Antonio i bëri skena xhelozie, duke hedhur dyshime se ajo kishte një lidhje tjetër. Ata u ndanë dhe rreth orës 20:00 të mbrëmjes, Kejsi me të ëmën dhe vëllain e të dashurit, u ngjitën për në Voskopojë. E ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregoi me detaje sesi u njoftua nga e dashura e djalit për vdekjen e të birit. Ajo vetë e gjeti atë të lidhur e të pajetë në një pishë.

Familjarët dyshojnë se djali i tyre nuk është vetvarur, po është vrarë. Kjo për shkak se në trupin e të ndjerit kishte shenja dhune. Për më tepër, emisioni Stop publikoi fakte të reja në muajin Tetor, që hidhnin dyshime edhe mbi punën e Prokurorisë së Korçës, që e referoi çështjen si vetëvarje. Por, 18-vjeçari i ndjerë ishte i gjatë 180 cm, dhe kur u gjet i varur në pemë, ishte në një lartësi 140 cm, çka do të thotë se këmbët i preknin në tokë. Çështja në atë kohë drejtohej nga prokurorja Oli Visi, ndërsa tani dosjen e ka marrë në dorë prokurorja Odeta Todorushi.

Mamaja e të riut të ndjerë na tregon se pas publikimit të rastit, prokurorja Odeta Todorushi nuk ka bërë asnjë gjë, madje ka refuzuar t’i presë prindërit, të cilët interesohen çdo ditë për çështjen e djalit të tyre. Jo vetëm kaq, por prokurorja Todorushi mesa duket nuk e ka pritur mirë faktin që prindërit e 18-vjeçarit të ndjerë e denoncuan rastin në Stop, duke iu thënë se e ka mbajtur dosjen në sirtar për “inat”. Madje tani ka kërkuar që të mbyllë hetimet dhe çështja të konkludohet si vetëvarje dhe jo vrasje, pavarësisht provave të reja që nuk janë marrë në konsideratë nga Prokuroria e Korçës.

Mamaja e 18-vjeçarit të ndjerë: “Doja të bëja takim me kryeprokuroren. Prokurorja më tha që kam gjyq. Dua takim me prokuroren për arsye se nuk më pranonin pa avokat. Dhe hyra brenda, i them prokurores Odeta Todorushi. I thashë çfarë keni bërë pas emisionit Stop. Ajo më tha që dosjen e kam mbajtur vetë nga inati që pse më nxorre në Stop. Më bëri kërcënim, për mendimin tim është kërcënim, se më tha mos u merrni me këta persona, për xhaxhanë Milenë Spaillarin. Unë për Milen Spaillarin e ngre akuzën se e ngre mbesa, e akuzon e mbesa. Edhe mbesa është Kejsi Spaillari. Unë kam bërë kërkesë te kryeprokurorja për të më pranuar për arsye se nuk më pranonin. Më thonin të marrësh avokat. Prokurorja nuk ka zbardhur asnjë gjë. Dhe ana tjetër që më ka thënë që ‘të vish me avokatin të firmosësh për pushim të çështjes’. Si ta hedh unë këtë firmë për pushim? Më tha që unë çështjen e kam pushuar. Që mua nuk më kanë thirrur dhe nuk më njeh se kush jam. Thjesht më njeh se unë kam ardhur vetë se jam interesuar për punën e çështjes se e kam unë hallin. Prokurorja dhe oficeri i Prokurorisë mua nuk më njeh. Thjesht ata e kanë pushuar çështjen me vendimin e tyre. Nuk më njohin fare se kush jam. Të vish me avokatin më ka thënë, të hidhni firmë dhe të ikim në gjyq për pushim. Unë s’jam dakord për pushim për arsye se unë kam prova. Mua po më shkel gjakun e fëmijës 18 vjeç, është gjynah. Të nxjerrin të drejtën, unë nuk kërkoj gjë, unë dua vetëm drejtësinë e fëmijës tim. Por jo të lësh kriminelin të më kalojë mua nëpër këmbë dhe vajzën dhe të më bëjnë karshillëk, ‘çfarë më bëtë, asgjë s’më bëtë’. Është korrupsion i madh”.

Gazetari i emisionit Stop, Genci Angjellari, i cili ka ndjekur këtë çështje, mundi t’i marrë një prononcim të shkurtër prokurores Odeta Todorushi, e cila nuk bëri asnjë koment për provat e reja duke thënë se “cënohen hetimet”.

Gazetari: Në lidhje me çështjen e të ndjerit Antonio Karafilit, keni ndonjë koment, sepse janë publikuar shumë fakte, të cilat e tjetërsojnë gjithë ngjarjen. Ju jeni prokurore e re pa cënuar hetimet. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë ngjarje? Pse po vonohet? Pse nuk po shkon…?

Odeta Todorushi: Asgjë më vjen keq…!

Gazetari: Po pse?!

Odeta Todorushi: Sepse ma thatë, pa cënuar hetimet…

Gazetari: Po pra pa cënuar hetimet, por duhet të keni edhe atë etikën, që prevalon mbi gjithçka…

Odeta Todorushi: Dhe unë pa cënuar hetimet po të them, që s’mund të them asgjë…

Gazetari: Dhe s’po e çoni në gjyq akoma?!

Odeta Todorushi: E keni kuptuar gabim…

Gazetari: Po ma shpjego ti pra!…Prandaj…

Odeta Todorushi: Po pra ja u shpjegova, e keni kuptuar gabim…

Gazetari: Zonjë…?!

Pas kërkesës së prokurores Todorushi për pushim të hetimeve, Stop” analizon shkeljet e bëra në këtë rast, duke nisur me mosrespektimin e vendimit të gjykatës që ktheu çështjen për hetim. Prokurorja Todorushi nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë që ka kthyer hetimin dhe ka urdhëruar prokuroren që në krye të 2 muajve duhet të bënte një sërë detyrash. Por kjo prokurore nuk ka bërë asnjë detyrë dhe e ka mbajtur çështjen në mënyrë abuzive për më shumë se 10 muaj, madje familjarëve u është shprehur që këtë dosje e ka mbajtur edhe për inat sepse familjarët e bënë publike këtë çështje në emisionin Stop.

Prokurorja e Korçës ka bërë një tjetër shkelje duke mosregjistruar një tjetër vepër penale pas fakteve të publikuara në emisionin Stop, atë të pengimit të zbardhjes së të vërtetës, duke nisur fillimisht nga mjeko-ligjori i rrethit të Korçës, i cili nuk figuron i regjistruar dhe nuk ka licencë në Regjistrin Kombëtar të Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu deklaratat e ndryshme të bletarritësit i cili pohon që ka dëgjuar zëra dhe në deklaratat e Prokurorisë së Korçës ka deklaruar diçka tjetër, pa marrë për bazë edhe deklaratat e të dashurës së 18-vjeçarit, e cila pohon që Antonio nuk është vetëvarur por mund të jetë vrarë.

Këto fakte të publikuara në emisionin Stop detyronin prokurorin e Korçës që të regjistronte vepër penale pengimin e zbardhjes së të vërtetës. Por kjo prokurore duket qartazi që po pengon zbardhjen e kësaj çështje. Me këto shkelje të bëra nga prokurorja Todorushi, ILD-së nuk i duhet më kohë për të dalë në një vendim si disiplinor por edhe penal, pasi faktet tregojnë që kjo prokurore po pengon zbardhjen e kësaj çështje.   /tvklan.al