Promovohet në ambientet e COD në kryeministri, libri “Qeverisja je ti”, i intelektuales, pedagoges dhe kërkuese shkencore Mimoza Manxhari. Gjatë fjalës së saj ajo tha se duhet një vetëdije më e madhe e qytetarëve për forcën e tyre dhe funksionimin më të mirë të qeverisë.

Mimoza Manxhari, autore: Unë jam e lumtur që këtë libër arrita ta finalizoj dhe mbi të gjitha më lumturon fakti dhe e shikoj si shumë optimiste që ky promovim bëhet në këtë institucion. Dua ta përshëndes por  njëkohësisht edhe ta konsideroj si një ogur të mirë këtë lidhje midis institucionit të qeverisë dhe të individit, që unë pretendoj dhe kërkoj të qeveriset sepse është e vërtetë dhe unë kam kuptuar që jemi ne si individë pastaj është gjithçka tjetër që është krijuar nga ne.

Sipas studiuesve, librin e Manxharit e bën me shumë vlerë larmia e tematikave që lidhen me rolin e qeverisjes dhe aktorëve të saj kryesorë në formësimin e shoqërisë, por edhe stili i shkrimit dhe trajtimi i temave.

Marenglen Sporo, pedagog: Flasim sot për një botim me një titull intrigues, shprehës i drejtpërdrejtë i një problematike të përhershme të pushteteve në kushtet e ekonomisë së tregut dhe të pluralizmit politik, në mënyrë të veçantë të atyre post-traumatike diktatoriale.

Ekspertët vlerësuan se libri është rezultat i një studimi të thelluar të një literature të bollshme sa historike dhe bashkëkohore.

Klan News