Katerina Delhysa ankohet në ‘Stop” për Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP). Ajo tregon se familja e saj ka pasur një shtëpi rreth 300 m2 në zonën ku ndodhet Ambasada Gjermane. Katerina thotë se për këtë pronë disponon dokumente nga AKKP-ja, vërtetim dhe certifikatë pronësie, që i njeh pronarë të ligjshëm të kësaj prone.

Në momentin që  Ambasada Gjermane shfaqi interes për pronën, atë e sekuestroi shteti duke u premtuar kompensim ish-pronarëve të ligjshëm. Zonja thotë se është paraqitur me dhjetëra herë tek ATP, e cila e njeh pronësinë, edhe kompensimin, por nuk po ekzekuton vendimin e kompensimit.

Unë jam një nga pjesëtaret pronare të truallit të Ambasadës Gjermane. Shtëpia jonë është shembur për ta marrë Ambasada Gjermane, nuk ka qenë vetëm shtëpia jonë që është shemb, por kanë qenë 3 dykatëshe. Pjesëtarët e shtëpive të tjera kanë marrë trajtim nga shteti, hyrje apartament, kurse ne ngaqë ishim të persekutuar nuk kemi marrë asgjë. Kemi marrë një vendim nga Agjencia e Kompensimit të Pronave, që na njeh pronësinë. Për këtë pronë disponoj edhe certifikatën. Kam plotësuar edhe dosjen time me të gjitha dokumentet që kërkonte ATP-ja. Në momentin që babai pushkatohet, në vitin 1951, me të ashtuquajturën “Bomba në Ambasadën Sovjetike”, dy shtëpitë tona u sekuestruan nga shteti. Tani Ambasada Gjermane njeh si pronar shtetin dhe të gjitha lekët i derdh në shtet. Më kanë ardhur shumë letra nga ATP që je përfitues, por nuk na del fondi. Është i pamjaftueshëm. Këtë rast kam 20 e sa vjet që e ndjek, kam aplikuar 3-4 herë me të gjithë dokumentacionin e rregullt dhe përsëri unë nuk kam marrë asnjë lekë. I kam pyetur kur do të kompensohem dhe më kanë thënë nuk na del fondi. Jeni përfitues, por fondi nuk na del. Prandaj ju drejtova juve si Emision “Stop”, sepse kam shumë besim tek ju.”

Delhysa interesohet sërish ATP me kameran e fshehtë të “Stop”, por aty punonjësja i thotë, që nuk i gjendet aplikimi i vitit 2017.

Qytetarja- Unë kam aplikuar, domethënë që në fillim fare, kam ardh këtu.

Specialistja ATP- Ëhë.

Qytetarja- Edhe më keni shkrujt aty, që jeni përfitues, por fondi nuk na mjafton.

Specialistja ATP- Vlera juaj është 149 milionë lekë.

Qytetarja- Po!

Specialistja ATP- Ti s’ke aplikuar fare, zonjë!

Qytetarja- Kam apliku! Unë tashi para 7-8 muajsh, kam qenë këtu.

Specialistja ATP- Ka dalë fondi i 96-ës, në 2017-ën për vlerën financiare, ti mund të aplikosh vetëm një herë, dhe duhet të kesh vetëm një numër dosjeje.

Qytetarja- E pra, 68-ta është.

Specialistja ATP- Këtu nuk ka dosje kompensimi me numër 68-të fare!

Ndërsa gazetares, specialisti i ATP-së i shpjegon, se zonja Katerina duhet të riaplikojë dhe të çojë edhe dy dokumente të tjerë, për shkak të ndryshimit të dispozitës ligjore. Pas këtij momenti Katerina aplikoi sërish dhe iu hap drita jeshile, për marrjen e parave që i takojnë.

Specialisti ATP- Zonja ka apliku në 2003-in, 2006-ën, 2007-ën..një pjesë të dokumenteve, mund t’i ketë sjellë.

Qytetarja- Jo një pjesë, të gjitha i kam sjellë!

Specialisti ATP- Shumë mirë! Ato, që i ke sjellë, i ke këtu, nuk do t’i sjellësh më!

Gazetarja- Ai(aplikimi) i 2017-ës, nuk të rezulton në sistem.

Specialisti ATP- 2017-ta nuk ka!

Gazetarja- Ka aplikuar, thotë zonja, por varet, për çfarë ka aplikuar.

Qytetarja- Jo, për të aplikuar, kam aplikuar unë.

Gazetarja- Me këtë aplikimin e 2015-ës, nuk mund t’i jepni një përgjigje juve? Pse duhet të aplikojë prapë tashi?

Specialisti ATP- Po pra, janë shtuar kritere të reja, kanë ndryshuar forma, mënyra dhe dokumente të tjera.

Gazetarja- Çfarë?

Specialisti ATP- Te Hipoteka, të marrë një konfirmim…

Gazetarja- Konfirmim nga ZVRPP-ja.

Specialisti ATP- Dhe një deklaratë noteriale, siç është e dhënë tek pika.

Gazetarja- Sa zgjat procedura e kompensimit?

Specialisti ATP- Nuk e them dot!

Gazetarja- Viti 96-të?

Specialisti ATP- Kjo varet, një vit, dy vjet! Atëherë, më jep një kartë tënden, të bësh kërkesën! Ta bësh për të dyja: edhe pretendimin që ke, që kam aplikuar ndër vite, edhe për atë, që ke aplikuar në 2017-ën, edhe për këtë tjetrën!

“Sapo bëmë edhe aplikimin, ky është edhe numri i protokollit të aplikimit të zonjës, 6483, datë 21 Qershor 2019”, tha gazetarja.

Katerina Delhysa: Megjithëse kisha aplikuar, disa herë, për 20 e sa vjet, tani kanë dalë edhe 2 letra të reja. Unë po i bëj edhe ato 2 letra dhe ishalla po përfitoj edhe atë mundin dhe djersën e truallit. Tani ishalla me ndihmën tuaj si “Stop” unë do zgjidh problemet e mija, që ta marr kompensimin sa jam gjallë./tvklan.al