“Na u premtua se brenda 3 ditëve do t’i jepet zgjidhje situatës”

Disa nga pronarët e “jet ski” protestuan të martën para Policisë së Shtetit. Ata thonë se nuk kanë marrë asnjë njofitm apo dokument për bllokimin e aktivitetit të tye, përveç një telefonate me celular. Aktiviteti i tyre u bllokua pas tragjedisë së ndodhur në Potam të Himarës ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, pasi u godit për vdekje me gomonë nga ish-polici Arjan Tase.

Një grup prej katër personash u pritën në takim nga kreu i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku. Ai u premtoi pronarëve të “jet ski”-ve se brenda tre ditësh situata do të zgjidhej dhe se në fokus të kontrolleve janë vendqëndrimet e këtyre mjeteve ujore.

Thjesht bëhet një kontroll i vendbazimeve se si janë të ndërtuara. Kjo na u tha, kjo u bisedua. Shumë shpejt, se na thanë që agjencitë rajonale janë mbledhur për të bërë një zgjidhje të situatës. Pas incidentit me vajzën e vogël në Himarë po ngrihet edhe një rikontroll i dytë për të parë kush është i saktë. Brenda dy-tre ditëve besoj se do ketë një zgjidhje. Nga policia kufitare ka bashkëpunim maksimal, kjo na u tha nga drejtori i përgjithshëm”, tha njëri prej pronarëve, Skerdilajd Xhametaj.

Në aksionin e nisur nga Policia e Shtetit që në ditën e ngjarjes së Himarës janë sekuestruar më shumë se 200 “jet ski” në të gjithë vijën bregdetare. Pronarët theksojnë se humbjet janë të pallogaritshme, ndërsa nënvizojnë faktin se ata kanë të gjithë dokumentacionin që iu duhet.

Klan News