Pronari i jahtit: Aksidenti tragjik në ujërat e Malit të Zi

Pronari i jahtit: Aksidenti tragjik në ujërat e Malit të Zi

19:46 11/09/2019

Jahti ishte nisur nga Tivati. U gjet 12 milje larg Shëngjinit

Pronari i jahtit dyshon se kapiteni Sezgin Javuz, që rezulton i zhdukur, ka pësuar aksident fatkeq. Nëpërmjet studios së tij ligjore në Shqipëri, mësohet se biznesmeni turk Metin Akyz ka theksuar para autoriteteve të drejtësisë shqiptare se aksidenti ka ndodhur ne ujërat territoriale të Malit të Zi.

“Nga të dhënat e sistemit GPS dhe rrethanat e tjera të ngjarjes mendojmë se aksidenti tragjik ka ndodhur kur jahti gjendej në ujërat e Malit të Zi dhe më pas rrymat e kanë shtyrë drejt brigjeve shqiptare. Përjashtohet në mënyrë kategorike çdo mundësi përfshirjeje të kapitenit Yavuz në aktivitete të paligjshme, pasi ai gjithmonë kishte qenë një njeri me integritet të lartë, e moral të panjollosur. Në këto kushte, pista më e mundshme mbetet ajo e një aksidenti fatkeq”.

Pronari i mjetit lundrues është marrë në pyetje në prani të përfaqësuesit të ambasadës turke në Tiranë si edhe të avokatit. Ai ka shpjeguar itenerarin e lëvizjes që prej datës 1 Korrik 2019 deri të enjten datë 5.9.2019, kohë kur ai ka pasur edhe komunikimin e fundit me kapitenin Sezgin Javuz.

Në datën 6 Shtator, pronari i jahtit ka kontaktuar me autoritetet portuale shqiptare të cilat i kanë bërë me dije faktin se mjeti lundrues është gjetur 12 milje larg Shëngjinit, pa asnjë njeri në bord. Në sajë të verifikimeve, ka rezultuar se i riu është nisur nga Porti i Tivatit në Mal të Zi në datën 2 Shtator.

Në jaht janë gjetur disa mjete peshkimi. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë rënë në det teksa peshkonte. Në mjetin lundrues nuk janë gjetur shenja dhune që mund të ngrenë dyshime për një vrasje të mundshme.

Tv Klan

Të ngjashme