Tërmeti i fortë i 26 Nëntorit nxorri në pah shumë problematika me ndërtimet në Shqipëri, e sidomos në zonën e Durrësit. Në këtë qytet bregdetar, emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur sërish.

Banorët e pallatit 672 në lagjen 16 në Durrës, ankohen se në katin e parë janë bërë ndërhyrje në muret mbajtëse për shkak të një lokali. Pallati i ndërtuar në vitin 1971 është me themele guri dhe nuk ka hekur e beton. Kjo do të thotë që ndërhyrjet në këtë pallat nuk lejohen.

Por, banorët tregojnë se katin e parë e bleu z.Thoma Karati, dhe e shndërroi në lokal, duke prishur 3 muret mbajtëse.

Qytetarët e denoncuan tek Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe ky institucion e gjobiti dy herë z/Thoma Karati, me 5 dhe 10 milionë Lekë të vjetra.

Banori 1: Ky pallat është ndërtuar në vitet ’71-’72 dhe si i tillë nuk pranon as ndërhyrje. Ka ardhur një person që ka blerë një hyrje në katin e parë ta kthejë në lokal. Që në momentin që personi filloi ndërtimet, ne shkuam në Inspektoriatin e Ndërtimit duke e gjobitur personin dy herë me nga 5 milionë Lekë të vjetra dhe një herë me 10 milionë Lekë të vjetra. Ka bërë dhe një kallëzim penal për prishje të pronës publike.

Banori 2: Ky pallat duhet të kthehej siç ka qenë. Ai që e mori që e bleu të vijë ta rregullojë, të hyjë dhe në burg. Shteti të bëjë ndonjë gjë.

Ndërtuesi i pallatit, Xhevat Balla: Ky pallat është ndërtuar me themele guri edhe me tulla silikate. Nuk ka as hekura dhe as beton.

“Ka dëmtuar themelet e pallatit. Plus kësaj, brenda banesës kanë prishur dhe muret ndarëse, që në vetvete kryejnë funksionin e kolonave, sepse janë pingul nga kati i parë deri në kat të pestë. Ne nuk kërkojmë gjë tjetër nga institucionet që këto themele dhe këto mure të rikthehen siç kanë qenë. Shteti të ushtrojë autoritetin e vetë si shtet. Mos të paraqitet më tragjedi tjetër”, shprehet njëri nga banorët.

Gazetarja e emisionit “Stop” pa edhe pjesën e brendshme të këtij pallati. Apartamentet kanë pësuar dëme të shumta nga tërmeti i 26 Nëntorit. Banorët thonë se shkak është bërë prishja e mureve mbajtëse të katit të parë, pikërisht në hapësirën që është projektuar për lokal.

Kryeinspektori Ardian Halili thotë se e ka ndjekur të gjithë praktikën për këtë rast dhe na drejton në zyrë për ta marrë.

Kryeinspektori Ardian Halili: Unë e kam  bërë të gjithë praktikën. Jam në terren! Hajde merreni procedurën në zyrë!

Ndërsa prokurori që ka ndjekur këtë çështje, Madrid Kullolli shprehet se çështja është në zhvillim e sipër dhe do të shkojë në gjyq.

Prokurori Madrid Kullolli: E kam në zhvillim e sipër. Në opinionin tim, do ta çoj në gjyq çështjen, por pres një ekspertim në këtë rast.

Sipas dosjeve gjyqësore që ka siguruar gazetarja e emisionit “Stop”, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, përveç gjobave, ka bërë edhe kallëzim në Prokurori ndaj pronarit të lokalit, z.Thoma Karati.

Nga ana tjetër, ky i fundit bëri një sigurim padie, kërkesë që u pranua nga gjykata. Kjo do të thotë që çështja është në gjykim dhe deri sa gjykata të japë vendim, punimet qëndrojnë të pezulluara, por nga ana tjetër pallati është në katin e parë është pa mure mbajtëse dhe nuk është marrë asnjë masë sigurie. /tvklan.al