Ministri Balla: Do përdoren edhe për viktimat e dhunës në familje

Asetet e konfiskuara të krimit të organizuar dhe të korrupsionit po përdoren, edhe për sipërmarrjet sociale dhe për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla inauguroi qendrën sociale në Durrës, e cila është ndërtuar në apartamentin e konfiskuar të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

“Sot jemi, do ta quaja si qershi mbi tortë, në një pronë që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i cili këtë apartament nuk e justifikonte dot me të ardhurat e veta. Ky është një rezultat i prekshëm i reformës në drejtësi dhe një mesazh i qartë kundër gjithë skeptikëve.”

Sipas Ballës të gjitha pasuritë që janë marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara do të përdoren për shërbime publike dhe asnjë nuk do dalë më në shitje.  

“Asnjë prej pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, nuk do të privatizohet më. Kemi mësuar ne, edhe unë u desh të mësoja nga prokurorët antimafia javën e kaluar në Itali, se nëse do të shkonin për privatizimin e tyre, shanset që ato të rikthehen te ish-poseduesit, janë shumë të mëdha.”

Ministri ftoi organizatat të aplikojnë për projekte për përdorimin e këtyre pronave.

“Shumë nga këto apartamente mund të përdoren për strehimin e vajzave, grave, motrave tona, të cilat vuajnë pasojat e dhunës në familje. Jeni të mirëpritur të vini me plot ide, për këtë që për mua mbetet një prej shqetësimeve dhe sfidave të mia kryesore.”

Sipas ministrit të Brendshëm një pjesë e pronave të bllokuara do të përdoren për familjet e Dëshmorëve të Policisë, rënë në krye të detyrës.

Klan News