Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është shprehur pas samitit të BE-së për zgjerimin se mos hapja zyrtare e negociatave është goditje për unionin. Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut ka 18 vite me statusin kandidat, por ende nuk kanë filluar negociatat.

Bullgaria nuk u bind gjatë këtij samiti që të heqë veton. Për Kovaçevskin, fqinji i RMV ka vendosur të kthehet në të shkuarën dhe ka vendosur një bllokadë që i shërben vetëm palëve të treta. Ai foli edhe për propozimin francez për të tejkaluar këtë krizë. Kovaçevski renditi disa elemente sipas të cilit e bëjnë propozimin të pranueshëm për palën maqedonase.

“Sa për propozimin francez dua të falenderoj së pari Presidentin Macron për angazhimin e tij dhe për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje. Në këtë proces dinamik të punës me presidencën franceze kemi shpallur qëndrimin tonë dhe vijat e kuqe. Në këtë kontekst dua të riafirmoj që propozimi që është i pranueshëm për ne duhet të garantojë këto elemente kyçe. Së pari, të formulojë gjuhën maqedonase në kuadrin e negociatave dhe identitetin e saj. Kushtet historike nuk mund të jenë kushte apo kritere në kuadrin negociues. Negociatat duhet të nisin para procedurave për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e Bullgarisë, Maqedonisë dhe pakicave të tjera në Kushtetutën tonë. Duhet siguruar nga BE që Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja përveç atyre që ramë dakord në kuadrin negociues dhe çdo zgjidhje duhet të konsultohet dhe rënë dakord me institucionet e RMV. Propozimi në formën aktuale është i papranueshëm për mua, për qytetarët, për partnerët e koalicionit, për qeverinë, për Presidentin e RMV. Nëse gjatë presidencës franceze arrihet një mirëkuptim për pozicionin tonë jemi të gatshëm që në mënyrë aktive të marrim pjesë në proces që të nisim negociatat”, u shpreh Kovaçevski./tvklan.al