Rriten ndëshkimet edhe për shoferët që nuk vendosin rripin e sigurimit

“Nëse ecni me shpejti 50 km në orë mbi kufirin e lejuar jashtë qyteteve, atëherë rrezikoni të gjobiteni me nga 1 -2 milionë lekë të vjetra. Ky është propozimi që ka bërë Ministria e Brendshme për ndryshimet në Kodin Rrugor”.

Raste të tilla nuk janë të rralla. Thuajse çdo fundjavë, policia konstaton drejtues mjetesh që lëvizin me shpejtësi marramendëse. Duket se ashpërsimi i ndëshkimeve është pikërisht për këtë kategori, pasi e njëjta gjobë është parashikuar për ata që kapen me shpejtësi më të madhe se 40 km nga ç’parashikon tabela, në zonat urbane.

Një prej anëtarëve të grupit që hartoi ndryshimet në Kodin Rrugor tha se ideja lindi për shkak se pjesa më e madhe e aksidenteve kryhen nga persona që shkelin kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 40-50 km në orë. Ndëshkimi shkon më tej dhe shoferëve iu hiqet patenta nga 3-6 muaj, si dhe 6 pikë nga leja e drejtimit.

Nëse lëvizni me shpejtësi më shumë se 10 km nga ç’lejon tabela, atëherë gjobiteni nga 1-3 mijë lekë të vjetra.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka propozuar edhe rritjen e gjobës për ata që nuk vendosin rripin e sigurimit. Nga 2.500 deri në 10 mijë lekë që është sot, mosvendosja e rripit kërkohet të gjobitet në një limit nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë.

Edhe për ata që drejtojnë makinën nën efektin e alkoolit, gjobat propozohet të rriten. Policia kërkon edhe bllokimin e të gjitha makinave të blinduara, që drejtohen nga persona pa leje të posaçme.

Tv Klan