Opinion– Gjatë kohës kur Edi Rama mbante postin e ministrit të Kulturës u bë protagonist në media pas propozimit që i kishte paraqitur qeverisë ku parashikohej konservimi i qendrës së Tiranës dhe shpallja e saj monument kulture. Projektligji ngjalli diskutim në mediat shqiptare dhe nuk ishte e vetmja iniciativë e Ministrisë së Kulturës. Më datë 10 Prill të vitit 2000 ai ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu si ministër Kulture.

Gjatë intervistës ai foli për problemet në trashëgiminë kulturore, por pa lënë mënjanë politikën. Sipas tij në atë kohë Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte të mbrojtur qendrën e kryeqytetit.

“Përpjekja për ta futur këtë zonë në mbrojtje dhe për ta shpallur ansambël monumental në bazë të ligjit për pasuritë kulturore është një përpjekje e vonuar. Në këtë zonë të kryeqytetit për vite me radhë është bërë një barbari e vërtetë. Janë dëmtuar pjesë të këtij aksi ashtu si kundër shkëlqimi i saj ka humbur krejtësisht. Përpjekja për ta shpallur ansambël monumental është që në të të investohet, të bëhet restaurim i plotë i fasadave të ndërtesave, ndriçimit apo pllakave të bulevardit. Projekti për të bërë këtë duhet të marrë përveç miratimit të zakonshëm edhe miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Është vendim që merret në bazë të vëzhgimeve dhe studimeve të specialistëve. Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka qendrën e vet nën mbrojtje.

Qendra jonë historike është me shumë vlera, por e pambrojtur. Duke e vendosur nën mbrojtje i gjithë shërbimi për ruajtjen dhe konservimin e këtyre vlerave iu kthehet qytetarëve. Kjo është historia jonë. Tirana është një qytet që ka pësuar deformime të jashtëzakonshme, një pjesë e të cilave lidhen me fluksin demografik dhe pamundësinë e shtetit për t’i përballuar. Duke lejuar barbarinë mbi trashëgiminë tonë kulturore, ne kemi lejuar që në kujtesën tonë historike të bjerë një tjetër hije. Pasardhësit tanë do kenë më pak trashëgimi nga ne nga ç’mund të kishin. Duhet të bëjmë çmos që dëmtimet të minimizohen. Në mund të bëjmë gradaçela, ndërtime të reja etj, etj, por këto vlera kulturore nuk riprodhohen më dhe nuk përsëriten. Në to është identiteti ynë”,tha Rama.