Gati programi për riparimin e dëmeve nga tërmeti

Komiteti Kombëtar i Rindërtimit ka përgatitur programin për të marrë masat e riparimeve të dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i 26 Nëntorit.

Burime konfidenciale për televizionin Klan, bëjnë me dije se propozimi financiar i kreut të këtij Komiteti është dërguar në Kryeministri paraditen e së martës duke përfshirë një angazhim për rindërtimin e 10 mijë banesave brenda vitit 2020.

Plani konkret i propozuar i përgjigjet edhe pyetjes së madhe, se ku do të gjenden burimet financiare për të rindërtuar shtëpitë e pabanueshme.

Programi parashikon të lejojë një llogari të hapur nga ndihmat që do të vijnë nga institucione dhe individë të ndryshëm vazhdimisht gjatë gjithë vitit, ndërsa nuk do të preken investimet publike të qeverisë në mënyrë që rritja ekonomike të mos ngadalësohet.

Për këtë arsye, propozimi kërkon aktivizimin e  nenit 4 fraksion 4, të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, i cili vepron në rrethana të jashtëzakonshme.

Ligji lejon që pavarësisht angazhimit për të ulur vazhdimisht borxhin publik, qeverisë i lejohet që në raste katastrofash të heqë dorë nga ky synim dhe ta rrisë borxhin.

Burimet thonë se ende nuk mund të llogaritet saktë se sa do të shkojë niveli i borxhit për vitin e ardhshëm, pasi fatura e dëmeve nuk është llogaritur e saktë, por në çdo rast ai nuk do të rritet më shumë se 1% e prodhimit kombëtar të vendit.

Një ditë më parë, ministrja e Financave Anila Denaj tha se disa projekte publike mund të shtyhen me një vit, ndërsa Komiteti i Rindërtimit ka dalë me një propozim tjetër, që paratë të gjenden te rritja e borxhit publik.

Tv Klan