Do të lejohen në BE turistët e vaksinuar me dozat e aprovuara nga EMA

Komisioni Evropian u ka propozuar vendeve anëtare që të lehtësohen kufizimet aktuale për udhëtimet jothelbësore drejt zonës Shengen për qytetarët e vendeve të treta ku përfshihen edhe shtetasit nga Shqipëria dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Rekomandimi lejon hyrjen e qytetarëve që kanë marrë dozat kundër koronavirusit, me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave si Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca. Sipas propozimit të KE-së, të gjithë shtetasit nga vende të treta, që janë të vaksinuar me njërën prej këtyre vaksinave, mund të udhëtojnë në BE.

Sa i përket vaksinës ruse Sputnik V, ajo është ende në procesin e analizimit nga EMA ndërsa pritet që kjo procedure të finalizohet edhe për vaksinat kineze. Vendet anëtare të BE-së do të diskutojnë propozimin ketë të martë.

Në kushtet kur kryeministri hungarez Viktor Orban kundërshton mos përfshirjen në këtë procedurë të të vaksinuarve me vaksinat kineze e ruse është e vështirë që nisma të marrë votën unanime të shteteve anëtare e nevojshme për ta vënë atë në zbatim. BE-ja vendosi kufizime për të gjitha udhëtimet jothelbësore marsin e vitit të kaluar, kur shpërtheu pandemia e koronavirusit.

Tv Klan