Serbët refuzojnë të heqin paraprakisht barrikadat

Ministri Sveçla deklaroi se ka një ashpërsim të retorikës nga autoritete serbe dhe për këtë është e nevojshme qëndrimi i Njësisë Speciale në pikat kufitare në veri.

Në krah të homologut të tij austriak, Karl Nehammer, Sveçla ka thënë se qëndrimi i policisë kufitare në veri nuk është provokim dhe as kërcënim për qytetarët serbë që deri tani kanë marrë mbi 11 mijë targa për të hyrë në Kosovë.

“Ne duke ditur përvojën e vitit 2008, por duke parë edhe çfarë ndodhi me qendrat e regjistrimit civil, të gjitha segmentet e sigurisë së Kosovës kanë vlerësuar se ka qenë i nevojshëm ky hap. Duke qenë se KFOR ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme, por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste”.

Ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer nga Prishtina, ka bërë thirrje për vigjilencë, duke shtuar institucionet kosovare po veprojnë në mënyrë të kujdesshme e pozitive në këtë situatë.

Nehammer thotë se dhuna nuk është mjet politik, derisa ka shtuar se nuk duhet provokuar nga këto situata ndërsa e ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës, që sipas tij, po e ruan qetësinë.

Klan News