I gjendur në Tiranë dhe mjaftueshëm i njohur me procesin anemik të hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Pavel Zaçek, akademik, deputet dhe kontribues i rëndësishëm në përballjen e Çekisë me të shkuarën komuniste, është i idesë që Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin model. Ai thotë:

“Dosjet dhe emrat e informatorëve të bëhen publike për këdo”.

E nisëm me modelin gjerman. Emrat e spiunëve i fshehëm dhe të drejtën për të patur dosjen e kishin të prekurit nga sistemi, thuajse si në rastin tuaj. Nuk funksionoi, ndryshuam ligjin dhe sot ato janë të arritshme për të gjithë, shtetas çek e të huaj. Ky model do ti shërbente shumë Shqipërisë duke bërë kujdes me manipulimin që mund t’i jenë bërë ndër vite të dhënave në dosje”,

u shpreh akademiku.

Kundërshtitë dhe dramat sociale e shoqëruan procesin që sheshoi edhe fenomenin e shantazhit kryesisht të kundërshtarëve në politikë.

 

Politikani Zaçek shtoi:

“Përveç një përqindje të vogël, dy ose tre, dosjet nuk kanë pse të qëndrojnë nëpër arkiva institucionesh. Nuk duhet të ketë asnjë pengesë ligjore për gazetarët, historianët, sociologët dhe qytetarët e thjeshtë. Ne kemi nisur edhe dixhitalizimin e tyre, për ta lehtësuar edhe më shumë pasjen e tyre nga kushdo”.

Si edhe në shumë vende të tjera post-komuniste hapja e dosjeve është vonuar nga mungesa e ligjeve. Por edhe kur janë si në rastin e vendit tonë janë kushtëzuar nga modeli apo mungesa e vullnetit për ta lexuar të pacensuruar të shkuarën.

“Duhet kuptuar diçka. Nuk bëhet thjesht për të kuptuar të shkuarën. I shërben veçanërisht të ardhmes për të ndërtuar një sistem ligjor të drejtë. Vende si Rusia apo Bjellorusia vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë proces, por ne duam të ndërtojmë vende demokratike që synojnë Bashkimin Europian”,

theksoi ai.

Po aq me rëndësi Pavel Zaçek sheh përfshirjen e qytetarëve në një model të ri kontributi për njohjen e krimeve të komunizmit siç është krijimi i “kujto.al”, arkiva online e krimeve të komunizmit.

Tv Klan