Autoritetet kërkojnë që të hiqet ora policore dhe të lejohet aktiviteti i klubeve të natës

Komisioni për Sëmundje Infektive propozoi heqjen e orës policore dhe lehtësim të masave për organizim të dasmave dhe ahengjeve të tjera.

Këtë e njoftoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe përmes rrjetit social Facebook.

Komisionin për Sëmundje Infektive u sollën vendimet e mëposhtme që do t’i propozohen Shtabit të Krizave. Nga e mërkura, 16 Qershor:

– Të hiqet plotësisht ora policore. Situata epidemiologjike është stabile dhe e lejon një gjë të tillë.

– Të pezullohet kufizimi prej maksimum 100 të ftuarve në dasma dhe festa.

-Të lejohet organizimi i ngjarjeve, koncerteve dhe ahengjeve në klube dhe bare vetëm në ambient të hapur, me kapacitet deri në 50% të objektit dhe jo më shumë se 1000 njerëz.

Shtabi kryesor koordinues i krizës COVID-19 i pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse për zbutjen e masave, ndërsa Qeveria do të diskutojë dhe do të vendosë në mbledhjen e ardhshme. Përndryshe edhe më 1 qershor u lehtësuan disa masa  edhe atë shfuqizimin e masës për mbajtje të maskës në ambient të hapur me rekomandim për mbajtjen e maskës në fytyrë kur ka grup më të madh. Megjithatë mbeti në fuqi masa për mbajtje të maskës në transport publik, taksi dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura.

Masa tjetër ishte lejimi i pranisë së publikut në garat sportive të cilat mbahen në ambient të hapur deri në 30%.Gjithashtu, u shfuqizua masa për ndalesë të grupimit në hapësirë publike të më shumë se 4 personave.

U lejua organizimi i dasmave, festimeve në ambient të hapur/tarraca verore deri në 100 persona, po jo më shumë se 50% nga kapaciteti i hapësirës dhe deri në maksimum 6 persona në një tavolinë me sigurim të distancës mes personave. Prania e muzikantëve u lejua vetëm gjatë organizimit të dasmave, në pajtueshmëri me protokollet. U rrit numri i personave që lejoheshin të ulen në një tavolinë prej 4, në 6, por me distancë.

Klan News