Zvogëlohet ora policore, lokalet të punojnë deri 23:30

Në Maqedoninë e Veriut, për shkak të stabizilimit të situatës me COVID-19, Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar lehtësimin e masave restriktive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se Shtabi kryesor koordinativ i Krizës ka propozuar që ora policore të fillojë në mesnatë dhe të zgjasë deri në 05:00 të mëngjesit, kurse ambientet e hapura të lokaleve të punojnë deri ora 23:30.

Me masat e reja do të lejohet organizimi i ngjarjeve dhe eventeve në hapësira të mbyllura dhe të hapura konform protokollit nga viti 2020, respektivisht duke shfrytëzuar vetëm 30% të kapacitetit të përgjithshëm, kurse nëpër çerdhet e fëmijëve nga 15 në 20 rritet numri i fëmijëve në grupe.

Gjithashtu, me këto propozime, lejohet hapja e palestrave dhe qendrave të fitnesit, kurse punonjësit shëndetësor mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore.

Këto propozime duhet të miratohen në seancën e nesërme të Qeverisë. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut dukshëm po ulen shifrat e infektimeve të reja dhe numrit të pacientëve që trajtohen nëpër spitale, por, fatkeqësisht vijon të jetë i lartë numri i pacientëve që humbin betejën me koronavirusin.

Gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave zyrtare, janë shënuar 1.343 infektime të reja dhe 157 raste të vdekjeve. Në periudhën e njëjtë gjatë Prillit ishin regjistruar 7.025 infektime të reja dhe 277 viktima.

Për momentin nëpër Covid-qendrat e vendit trajtohen 748 pacientë, kurse para një muaji kjo shifër ishte 1.699 pacientë.

Në Maqedoninë e Veriut, për shkak të Festës së Bajramit, në natën mes 12 dhe 13 Majit nuk do të ketë orë policore. E njëjta praktikë u zbatua edhe gjatë Pashkëve në natën mes 1 dhe 2 Majit.

Klan Macedonia