Policia e Tiranës ka shkatërruar një rrjet të prostitucionit në Tiranë me vajza të huaja nga Amerika Latine, kryesisht nga Kolumbia.
11 urdhër-arreste janë lëshuar në total gjatë aksionit të koduar “Orkidea”, prej të cilave 8 persona janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë në kërkim.
Grupi kriminal shfrytëzonte për prostitucion 44 vajza të huaja, të cilat priteshin në Rinas dhe më pas strehoheshin në apartamente me qira ditore.
Ushtrimi i prostitucioni kryhej edhe në lokale të ndryshme të kryeqytetit.
Aktiviteti drejtohej nga një grua 47-vjeçare kolumbiane, e cila është e shpallur në kërkim pasi qëndron në Kolumbi. Prej andej, ajo organizonte dhe drejtonte aktivitetin e paligjshëm.
Këtë e bënte përmes bashkëpunimit të ngushtë në Tiranë me një 39-vjeçar, i cili është i arrestuar. Ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
E përfshirë është edhe një punonjëse policie e Komisariatit Nr.4, 34-vjeçarja me iniciale A.B., e cila është e arrestuar. Ajo ishte përgjegjëse për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku vajhzat e huaja do të ushtronin prostitucion.
Pagesat për prostitucion varionin nga 200-250 Euro. Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktari, 39-vjeçari në Tiranë ja dërgonte paratë në Kolumbi organizatores përmes Bitcoinit ose transfertave me Western Union.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Finalizohet operacioni policor “Orkidea” për parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Ekzekutohen 11 masa sigurie, vihen në pranga 8 shtetas, shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Procedohen penalisht 44 shtetase të huaj nga Amerika Latine për prostitucion.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat e një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Operacionalen e DVP Tiranë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Orkidea” si rezultat i të cilët u ekzekutuan 11 masa sigurie , konkretisht:
-Arrest me burg për shtetasin E. S., 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit”;
-Arrest në shtëpi për shtetasen E. M., 47 vjeçe,, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit” ;
-Arrest me burg për shtetasen Y. G., 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen L. V., 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B, 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
-Arrest me burg për shtetasen S. M., 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B., 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”:
-Arrest në shtëpi për shtetasen A. B., 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Si dhe u shpallën në kërkim 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet krimianal.
Shtetasja G. R. 47 vjeçe, (e shpallur në kërkim) drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe në Shqipëri bashëpunonte me shtetasin E. S., ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
Po ashtu nga hetimi ka rezultuar se shtetasja G. R dhe shtetasi E. S, bashkëpunonim me shtetaset kolumbiane dhe me shtetasen E. M dhe A. B(punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin prostitucion.
Punohet për kapjen e 3 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al