Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar përdorimin e kapsollave dhe mjeteve të tjera piroteknike nga ana e protestuesve që u hodhën drejt forcave të policisë në protestën e opozitës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA thotë se përdorimi i tyre është i papranueshëm dhe jo demokratik. Ambasada u ka bërë thirrje organizatorëve që të protestës që të ndalojnë aktet e dhunës.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”.

Protesta e 7-të kombëtare e opozitës së bashkuar përfundoi pas 3 orësh. /tvklan.al