Franca u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj në Pakistan të largohen nga vendi përkohësisht për shkak të protestave të dhunshme në të gjithë vendin.

Ambasada e Francës në Pakistan paralajmëroi për “kërcënime serioze ndaj interesave franceze në Pakistan“, duke thënë që protestat po rriteshin në të gjithë vendin.

BBC raporton se  dy oficerë policie kanë humbur jetën gjatë përleshjeve të dhunshme që po vijojnë prej një jave në të gjithë vendin. Si shkak për protestat është bërë një vendim i Francës për të mbrojtur të drejtën për të treguar karikaturat e Profetit Muhamed.

Në Tetor të vitit të kaluar, Presidenti francez Emmanuel Macron mbrojti me forcë lirinë e shprehjes pas prerjes së kokës të një mësuesi që tregoi karikatura me Profetin Muhamed gjatë mësimit.

Karikaturat e Profetit Muhamed konsiderohen gjerësisht si tabu në botën islame dhe konsiderohen tepër fyese për besimtarët, ndaj dhe në Pakistan ka nisur një valë protestash anti-Francë./tvklan.al