Tri ditë para protestës opozitare të 27 Janarit, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur në Shkodër, ku është pritur nga simpatizantë të shumtë.

Nga kryeqendra e Veriut, Basha tha se qeveria nuk ka për t’i rezistuar bashkimit të shqiptarëve.

Qeveria e paligjshme nuk ka për t’i rezistuar dot bashkimit të shqiptarëve. Nuk i rezistoi dot diktatura e jo më t’i rezistojë Edi Rama, ky frikacak që e mbyllën 1200 naftëtarë në bunker. Çfarë do t’i bëjnë 12 mijë shkodranë, 120 mijë shqiptarë të bashkuar në sheshin e protestës më 27 janar? Do t’i thonë se koha jote ka marrë fund

!” – u shpreh Basha.  

Basha tha se arsyeja kryesore e shqiptarëve për të protestuar është braktisja që u ka bërë qeveria këto 5 vjet, gjatë të cilave gjendja ekonomike e shumicës absolute të familjeve është përkeqësuar. Kreu i opozitës theksoi se shkaku kryesor për gjendjen e mjeruar në vend është qeverisja nga një grup njerëzish që pushtetin e blenë me paratë, e krimit, drogës dhe korrupsionit.  

“E vërteta është ai prindi në Laprakë që kishte shitur gjakun e trupit të tij për të ushqyer dy djemtë. E vërteta janë qindra, mijëra pensionistë që pasi paguajnë faturën e kripur të dritave dhe të ujit, nuk u ngelen lekë për ilaçe. E vërteta janë qindra, mijëra të rinj të talentuar, të zgjuar, që nuk studiojnë dot, sepse prindërit nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara.”-

 tha Basha.  

Lulzim Basha iu referua raportit të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit.

“Këto konstatime, tregojnë hendekun në rritje midis shumicës dërrmuese të njerëzve dhe një pakice oligarkësh, klientë të Ramës që vetëm flasin, vjedhin e shpërdorojnë paratë e shqiptarëve. Nuk janë socialistë, nuk janë të majtë, janë një klub pasanikësh, hajdutë, plaçkitës dhe grabitës. Kusarë pra, që nuk janë pasuruar me djersën e ballit. por me varfërinë e popullit dhe blerjen e votave.”

 –theksoi Basha./tvklan.al