Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e konsideron protestën e 7 Korrikut një ngjarje shumë të veçantë dhe të një rëndësie të madhe. Sipas tij, ajo është e mbarë qytetarëve shqiptarë. Ish-kryeministri deklaroi se roli i PD-së në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por selia blu shkon drejt kësaj proteste në një koalicion të gjerë me shoqërinë civile dhe forca politike opozitare parlamentare dhe jashtëparlamentare.

“Kjo protestë ka një rëndësi shumë të madhe. Është e mbarë qytetarëve shqiptarë. Nuk ka dyshim se roli i PD në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por PD-ja shkon drejt kësaj proteste me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, me personalitete aktive në jetën publike dhe me forca politike opozitare të vërteta parlamentare dhe jashtëparlamentare”, tha Berisha.

Berisha u kërkoi anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së që të intensifikojnë përpjekjet në mënyrë që protesta të shprehë të gjitha problemet madhore të shumicës së qytetarëve shqiptarë.  

Kam informacione se degët kanë filluar aktivitetin, kanë filluar takimet, por ajo që kërkoj është intensifikimi maksimal i përpjekjeve tona në mënyrë që kjo protestë të shprehë të gjithë shqetësimet e mëdha, problemet madhore, me të cilat përballen sot shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Nuk ka dyshim se  problemi më kryesor është një lak në fytin e shqiptarëve që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë nga çmimet stratosferike të bordeve komuniste të qeverisë së Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi më tej se, “Protestën e drejton tashmë Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë. Kam besim që partitë opozitare parlamentare dhe jo parlamentare do i bashkohen protestës dhe do zhvillohen të gjitha tratativat me to, por të gjithëve ju, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të gjithë drejtuesve iu bie detyra të zbresim në çdo bllok, në çdo grup seksion dhe të gjithë shtrirjen e PD për të bërë mobilizimin maksimal për këtë protestë. Kjo protestë mblidhet, thirret në një kohë, kur vendi ka tashmë opozitën e vërtetë. Nuk ka më, as manipulime dhe asgjë tjetër. Ka mbrojtje vetëm të interesave të qytetarë”.

Ish-kryeministri theksoi për bordet se janë shndërruar në ‘mekanizma gjakpirëse’./tvklan.al