Protesta e 9-të kombëtare e opozitës, nuk shënohet asnjë incident

Protesta e 9-të kombëtare e opozitës, nuk shënohet asnjë incident

22:13 21/06/2019

Pa asnjë incident, Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare kanë protestuar për 2 orë e 20 minuta në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përpara Kryeministrisë. Aty Lulzim Basha iu drejtua turmës me një fjalim të gjatë që zgjati 45 minuta.

Prej këtej, protestuesit nën udhëheqjen e Lulzim Bashës dhe drejtuesve të tjerë të opozitës marshuan në drejtim të Parlamentit, ku qëndruan pak minuta. Edhe këtu nuk u shënua asnjë incident, asnjë përplasje me policinë dhe asnjë hedhje e lëndëve piroteknike.

Më pas, protesta u mbyll në selinë e Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha mbajti fjalimin e fundit duke theksuar se përveç largimit të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimit të një qeverie tranzitore, shtohet edhe kushti i dënimit të përgjegjësve të krimeve elektorale që kanë të bëjnë me blerjen e votave.

Ora 22:10 - Lulzim Basha mbyll protestën në selinë e PD: Asgjë nuk na ndal, asnjë hap pas nuk hedhim. 30 Qershori është varreza politike e Edi Ramës. Zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë kurrë. Sonte me bekimin dhe kërkesën tuaj, qëndrimi tonë politik për zgjidhjen e kësaj krize përmes kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës, të një qeverie tranzitore që do përgatisë kushtet për zgjedhje të lira të ndershme, i shtohet një tjetër kusht, arrestimi dhe çuarja para drejtësisë e hajdutëve të votave tuaja nga i madhi tek i fundit. Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa çuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve.

Ora 22:03 - Kryedemokrati Basha tërheq protestuesit drejt selisë së PD. Qëndrimi para Parlamentit zgjati pak minuta.

Ora 21:43 - Lulzim Basha dhe protestuesit nisen drejt godinës së Parlamentit.

Ora 21:00 - Lulzim Basha fjalim para protestuesve: Shpeshherë na kanë përbuzur, na kanë mosbesuar. Por sonte kjo merr fund njëherë e mirë. Rama ik del sot nga kraharori i çdo shqiptari. Ora e të vërtetës erdhi. Gjashtë vite me radhë qëndruam dhe ja më në fund gjithë bota e pa fytyrën e vërtetë të Edi Ramës që ka shkrirë në një shtetin, qeverinë, krimin, me një qëllim, marrjen dhe mbajtjen me dhunë të pushtetit, diçka që nuk do ta pranojmë kurrë. Rruga jonë është rruga drejt Shqipërisë si gjithë Europa. Kjo betejë nuk do të ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës, por kur të kenë vendosur kushte si gjithë Europa. Ai vazhdon drejt grushtit të shtetit, drejt votimit kriminal. Ta dijë mirë Edi Rama, ne nuk bëjmë asnjë hap pas, nuk ka zgjedhje më 30 Qershor. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytet më qytet, fshat më fshat, demokracia kundër narkoshtetit, ndaj çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do dështojë me turp. Ndërsa 30 Qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe Rilindjes së krimit. Këto mesazhe të qarta e të prera dua t'i bëj sonte të qarta për këdo që nuk i di. Nuk do të ketë më në Shqipëri zgjedhje me Edi Rama, nuk do të ketë më në Shqipëri proces politik pa dënuar hajdutët e votave. Ky është standardi i Europës, ky është standardi i Perëndimit. Ata i bëjnë gati valixhet për t'u larguar duke futur në to milionat e djersës së shqiptarëve. Mos kini merak, nuk kanë ku të shkojnë, përveçse në qelitë ku do t'i çojë drejtësia e pavarur. Nuk do të ketë në Shqipëri proces normak politik dhe as marrëveshje politike pa u vendosur drejtësia, pa u ndëshkuar kriminelët. Vendet do të ndërrohen shumë shpejt. Shqiptarët e lirë do ta marrin shumë shpejt fatin në dorën e tyre.

Është penguar drejtësia për të mbrojtur Edi Avdylajn, Astrit Ramën. Por kjo po merr fund. Jehona e Bild, jehona e 339 tashmë në shqip, në anglisht, në gjermanisht ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Nuk ka burrë dhe grua shteti që nuk e di se çfarë banditi është Kryeministri i Shqipërisë. Ndaj e vetmja mënyrë për të hequr vëmendjen ishte skenari i turpshëm i provokimit të dhunës në këtë protestë më të madhen, më qytetaren, më europianen. Por plani i tij dhe i shërbëtorëve të tij dështoi me sukses të plotë. Sot ju them me përgjegjësi të plotë se tik-taku i orës së Edi Ramës po mbaron në çdo kancelari të Europës dhe Perëndimit. Sonte dëgjojeni shumë shpejt, sonte po vulosim vdekjen politike të organizatës kriminale të Rilindjes. Ju ftoj sonte në këtë natë të zotohemi së bashku këtu se hapat e fundit të kësaj beteje do të na gjejnë më të vendosur, më të bashkuar, më të vendosur se kurrë, Rama ik. Mesazhi ynë sonte po kumbon në Berlin, në Uashington, në Paris, në Londër dhe Bruksel. Miqtë tanë e kanë kuptuar se largimi i Edi Ramës është domosdoshmëri. A ka popull në Europë që të bashkohet kësisoj si bashkohemi ne kur një qeveri e krimit refuzon standardin europian. Jo, do ta kishin marrë përpara me gjithçka. Por sonte nuk është ajo natë. Sonte është nata kur e gjithë Europa e ka kuptuar se të largosh Edi Ramën nuk është vetëm e rëndësishme të shpëtosh demokracinë shqiptare, por se të largosh Edi Ramën është një mision për të ndihmuar popullin europian të Shqipërisë. Pazar me opozitën nuk do të ketë. Harresë dhe falje nga shqiptarët për krimet dhe vjedhjet nuk do të ketë. Do të ketë vetëm një rrugë dhe rruga është e përcaktuar në çdo manual Kushtetute, para drejtësisë në burg hajdutët e votave, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, reformë kushtetuese për t'ja u kthyer shqiptarëve pushtetin dhe votën.

Ora 20:50 - Protestuesit kanë rrëzuar bustin e krijuar në formë instalacioni të Kryeministrit Edi Rama në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Një paralelizëm simbolik me hedhjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha pas rrëzimit të regjimit komunist. Ai është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria.

Ora 20:45 - Lulzim Basha mbërrin në turmën e protestuesve përpara godinës së Kryeministrisë.

Ora 20:31 - Lulzim Basha del nga selia e Partisë Demokratike. Niset drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" i shoqëruar nga familja.

Ora 20:20 - Aurela, bashkeshortja e kryedemokratit Lulzim Basha dhe vajzat Dafina dhe Viktoria, mbërrijnë në selinë e Partisë Demokratike. Lulzim Basha do të jetë në protestë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat.

Ora 20:15 - Simbolet e PD në protestë

Partia Demokratike: Simbolet e protestës së sotme janë frymëzuar nga përgjimet e dosjes 339 dhe 184. Një krevat i madh, ku qëndrojnë të rinjtë me portretet e Edi Ramës dhe të personave me të cilët ai ka bashkëpunuar si një organizatë kriminale për të vjedhur zgjedhjet. Poshtë emrit të Edi Ramës është nofka Babloku. Imer Lala thirret babloku i vogël, Damian Gjinuri është cilësuar me ironi si guru, Saimir Tahiri quhet El Chapo, Vangjush Dako tallet me nofkën “akullorja”, Erion Veliaj është quajtur me ironi fiku dhe Arben Keshi, persosni që del në përgjime.

Ora 20:00 - Ka nisur protesta e 9-të e opozitës së bashkuar. Protestuesit kanë nisur të grumbulluhen, disa në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" para Kryeministrisë e disa të tjerë në selinë e Partisë Demokratike, ku presin daljen e kreut të PD Lulzim Basha.

/tvklan.al
Të ngjashme
UKT