Pas protestës së banorëve reagoi i pari kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Ai vlerësoi qëndrimin e forcave të policisë bashkiake, duke thënë se reaguan me qytetari përballë partisë së dhunës, hurit e zjarrit.

“Si tek Lodrat, Sheshi dhe Pazari, puna do e mundë dhunën dhe qyteti do triumfojë mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më!”,

shkruan Veliaj në Twitter.

Po në rrjetet sociale reagoi edhe Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri që publikoi një video të segmentit të përfunduar të Unazës së Madhe nga Komuna e Parisit tek Shkolla Teknologjike.

Ministri shkruan se

“për çdo skeptik, ky është standardi me të cilin do ndërtohet dhe segmenti nga deri te Sheshi Shqiponja, pronarët shpronësohen 100% ndërsa ata pa leje do marrin 3 vite qira dhe do trajtohen me përparësi për banesa sociale”.

Një sqarim të gjatë për projektin dhe akuzat e Partisë Demokratike ka bërë edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky institucion thotë se projekti për Unazën është në përputhje të plotë me ligjin dhe se deklarimet e opozitës janë të pavërteta. Sipas ARRSH projekti është vazhdim i atij të filluar që në kohën kur Basha ishte kryebashkiak i Tiranës.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur më herët në sallën e Kuvendit edhe kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla. Balla tha opozita po e përdor politikisht protestën e banorëve të Unazës së Re.

Tv Klan