Shtatë pjesëtarë të policisë janë lënduar në protestën e dhunshme që u mbajt mbrëmë para Kuvendit të Maqedonisë, bëri të ditur Ministria e Brendshme.

Sipas komunikatës të lëshuar për mediat, policia ka arrestuar 25 protestues të dhunshëm. “

Gjatë protestës së mbajtur mbrëmë para Kuvendit, një pjesë e demonstruesve kanë përdorur mjete spërkatëse dhe me dhunë kanë rrëzuar barrikadat policore, duke tentuar me dhunë për të hyrë në Kuvend. Me qëllim të mos eskalimit të situatës, policia ka përdorur gaz lotësjellës në përputhje me procedurat dhe rregullat e saj për mbrojtje dhe siguri”

, informoi MPB.

Nga kjo ministri u theksua se respektojnë të drejtën e protestës së qetë, por nuk do të lejohet përdorimi i dhunës si dhe prishja e rendit dhe qetësisë.

Protestat e thirrura përmes rrjeteve sociale shpërthyen me dhunë në Shkup gjatë orëve të mbrëmjes, pasi që dje u firmos marrëveshja për emrin në Psarades të Greqisë. /INA