Nga ora 11:00 deri në orën 13:00 pika kufitare e Kapshticës është bllokuar. Autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala greke, pasi në shtetin fqinj protestuan fermerët e zonës.

Me traktorë nga gjithë fshatrat përreth ata kanë bllokuar pikën kufitare për të protestuar, ndërsa kërkojnë nga qeveria në Athinë disa lehtësi në lidhje me sistemi fiskal të tatimeve, sigurimet sociale dhe uljen e kostove të prodhimit të produkteve bujqësore.

Shteti helen ende vazhdon të vuajë nga kriza ekonomike. Ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se kriza në Greqi po ringjallet dhe po hyn në shtigje shpërthyese, që mund ta destabilizojnë sërish Eurozonën.

Raporti konstaton se ekonomia greke nuk po rritet me ritmet e shpejta që parashikoheshin, kur u vunë në zbatim masat anti-krizë. Borxhi kombëtar i Greqisë arrin nivelin 180% të GDP-së dhe FMN e vlerëson si të paqëndrueshëm. Për këtë arsye kredidhënësit ndërkombëtarë po ngurrojnë gjithnjë e më shumë të financojnë borxhin grek./ tvklan.al