Protestat e fermerëve serbe kanë vijuar për të satën ditë radhazi duke bllokuar me traktorë rrugët e Novi Sadit dhe të disa qyteteve të tjera serbe. Ata kanë paralajmëruar se do të mbyllin hyrjen në Urën e Varadinit nëse kërkesat nuk plotësohen. Fermerët nuk kanë marrë ende përgjigjet e premtuara nga Ministria e Bujqësisë për kërkesat e tyre.

Ata e kaluan natën jashtë ndërsa në përkrahje te tyre erdhën disa traktorë nga pjesë të ndryshme të Vojvodinës. Fermerët kërkojnë që çmimi i blerjes së lulediellit të jetë së paku 700 Euro për ton. Po ashtu, kërkojnë subvencionim per furnizmin me karburante për punimet e vjeshtës. Kërkesave të tyre themelore iu shtua edhe anulimi i raportit policor për pjesëmarrësit në protestë.

Afro njëqind fermerë me traktorët e tyre kanë lëvizur nëpër rrugë e qytete serbe duke iu rënë borive dhe disa prej tyre janë shoqëruar nga policia. 

Një nga kërkesat kryesore është heqja e ndalimit të eksporteve të drithërave dhe farave vajore si dhe përcaktimi i çmimit minimal për grurin. Kërkesa e dytë është heqja e çmimit të akcizës për vajin.

Fermerët e mbledhur thanë që nuk do të lëvizin derisa të marrin garanci në letër “bardh e zi” se të gjitha premtimet do të realizohen. 

Zyrtarët lokalë u bënë thirrje fermerëve që të zhbllokojnë rrugët publike dhe ndërkohë të vazhdojnë bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë. 

Klan News