Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar se opozita ka një strategji për protestën e së shtunës më 27 Janar dhe një hallkë e rëndësishme është edhe reagimi i qytetarëve.

Në një lidhje live për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lulzim Basha u shpreh se në fjalimin që do të mbajë përpara protestuesve, do t’u kërkojë që të marrin fatet e tyre në dorë.

Blendi Fevziu: Çfarë pritet nga protesta e opozitës?

Lulzim Basha: Protesta bëhet kundër padrejtësive, për një ekonomi që funksionon, për një shtet që t’i afrohet Europës.

Qytetarët përballen me një kaos rë vërtetë, 11 shpërthime. Rendi dhe siguria kanë rënë. Jemi në një situatë ku ekonomia po rrënohet ditë për ditë, me shifrat zyrtare që janë të manipuluara, javën e ardhshme do japim provat se si manipulon shifrat Edi Rama. Ekonomia është në kolaps, shqiptarët janë në panik.

E gjithë e keqja është sepse ne kemi një qeveri që nuk jep llogari para njerëzve. Akti i kapjes së kryeprokurorit është akti i fundit i një shteti… Këtu ku kemi ardhur ku nuk ka më zgjedhje, që e kemi faktuar tashmë, skandali i Saimir Tahirit e ka bërë analizën e zgjedhjeve. Shqipëria ka rënë në dorë të krimit. Edi Rama zgjodhi bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet dhe vazhdon bashkëpunimin me krimin.

Bëmë 3 komisioni hetimore për ARMO-n dhe të treja i bllokoi mazhoranca. Nuk funksionon asgjë, gjithçka është në dorë të Edi Ramës.

Opozita po e bën detyrën e saj në atë hapësirë. Ne nuk flasim më për alternativa, është e gjitha teatër sepse Edi Ramës nuk i intereson asgjë. Në demokraci ngelet një mundësi, që është mundësia e fundit. Është thirrja e sovranit për të thënë fjalën e tij, që e pranojnë këtë gjendje apo nuk e pranojnë.

Blendi Fevziu: Do t’i kërkoni qytetarëve reagim apo të duartrokasi dhe të kthehet në shtëpi?

Lulzim Basha: Do t’i kërkoj të marrë fatet e tij në dorë që t’ia bëjë të pamundur aleancës së krimit sundimin. Në vend që Tahiri me shok të jenë ministra, të jenë në burg. Opozita ka një strategji të vetën, por pjesë kyçe e kësaj strategjie është reagimi i qytetarëve. Askush mos të vijë për hallin tonë, ejani për hallin tuaj, ejani për padrejtësitë tuaja.

/tvklan.al