Policia e Tiranës ka arrestuar 7 persona pas protestës së opozitës pasditen e së hënës. Në kuadër të këtyre hetimeve janë proceduar në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë.

Të arrestuarit akuzohen për shkatërrim të pronës publike dhe goditje për shkak të detyrës ndaj efektivëve. Të proceduarit penalisht dhe të arrestuarit u identifikuan pas analizimit të pamjeve të sigurisë nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës.

Protestuesit hodhën kapsolla përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilat konsiderohen të ndaluara. Nga hedhja e këtyre kapsollave, mbetën të lënduar tre efektivë policie, i cili u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Protesta marshim e opozitës zgjati rreth 3 orë dhe u kërkua largimi i Kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Tubimi nisi përpara Kryeministrisë ku u hodhën tymuese dhe lëndë pirroteknike.

Më pas marshimi vazhdoi drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe ndalesa e radhës ishte godina e Parlamentit, ku protestuesit hoqën barrierat metalike në perimetrin e jashtëm të godinës së Kuvendit.

Materialet e refereruara në Prokurori janë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. 

/tvklan.al

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Në datë 13 Maj 2019, rreth orës 18:30 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe më pas tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek DPPSH dhe DVP me kapsolla, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim.

Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe SQU. Në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 7 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.