Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga nisja e protestës së 6-të kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, u bën thirrje si protestuesve ashtu edhe autoriteteve ligjzbatuese të qëndrojnë larg dhunës.

Shtetet e Bashkuara thonë se respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë”, thotë Ambasada e SHBA-ve në një postim në rrjetet sociale.

Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët “të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv”.

Opozita e bashkuar, e udhëhequr nga Partia Demokratike nis në orën 19:00 protestën e saj kombëtare, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nën kujdesin e një qeverie tranzitore. /tvklan.al