Ashtu si në protestat e mëparshme të opozitës niveli i masave të marra nga policia dhe Garda e Republikës është mjaft i lartë. Hyrja kryesore e Kryeministrisë është përforcuar, ndërsa i gjithë perimetri është rrethuar me një barrierë metalike.

Rreth 1500 forca policie pa llogaritur punonjësit e Gardës së Republikës janë përfshirë në mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Plani i masave i hartuar mbahet sekret, pasi edhe mënyra e protestës këtë radhë nuk dihet cila do të jetë nga opozita pasi në drejtorinë e policisë së Tiranës ka kërkuar leje për 6 orë nga ora 18:00 deri ne mesnatë.

Pjesë efektive të policisë që do përfshihen do të jenë ato RENEA dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Shtyllat elektrike përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, janë lyer me graso për të penguar çdo tentativë të ngjitjes në to për t’i dëmtuar.

Brenda në godinën e qeverisë përveç forcave të Gardës pritet të ketë edhe zjarrfikës. Policia e Tiranës ka dhënë leje që protesta të zhvillohet vetëm në pjesën e Bulevardit përballë kryeministrisë dhe përpara parlamentit, por plani i opozitës nuk është bërë publik.

Tv Klan