Lulzim Basha u ka bërë thirrje punonjësve të policisë që janë reshtuar përpara Parlamentit, që të arrestojnë deputetët e inkriminuar të mazhorancës.

Gjatë fjalimit të shkurtër në protestën e opozitës përpara selisë së Parlamentit, Basha tha se policët duhet të heqin kapelet dhe të bëjnë detyrën e të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin. Sipas kryedemokratit, protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama.

“Ky është një bashkim që do çlirojë udhëtimin europian të Shqipërisë, do çlirojë edhe socialistët e ndershëm nga banda kriminale e Edi Ramës. Vëllezër dhe motra tanë me uniformë, ju qëndroni mes hajdutëve dhe kriminelëve në atë godinë dhe popullit të vjedhur në anën tjetër. Bëni detyrën, hiqni kapelen, arrestoni hajdutët dhe nxirrini me pranga në duar.

Arrestojini, bëni detyrën tuaj përpara Kushtetutës dhe ligjit, arrestojini përpara se t’ju arrestojë populli i bashkuar. Edi Rama është shkaktari i varfërisë, i mjerimit dhe varfërisë. Me Edi Ramën nuk do të ketë as zhvillim, as integrim, por vetëm betejë të përditshme dhe të përnatshme deri në largimin e klikës mafioze. Parlamenti i krimit ka marrë fund dhe përgjithmonë”,

tha Lulzim Basha.

/tvklan.al