Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se protestuesit do të mblidhen sa herë që Parlamenti do të zhvillojë seancë plenare. Gjatë fjalës së saj në protestën përpara Parlamentit, Kryemadhi tha se as plumbat nuk do ta ndalojnë protestën e qytetarëve.

Kryetarja e LSI-së i ka kërkuar Prokurorisë që të tregojë se çfarë po bën me hetimet për skandalin me tenderin në Unazës e Re. Teksa ka akuzuar edhe Kryeministrin Edi Rama për gazin lotësjellës të hedhur nga policia në protestat e kaluara.

“Shërbëtorët e trafikut të drogës sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë që ne do të lodhemi. Sot asnjë nga ne nuk përfaqëson parti politike. Sot dua t’ju them diçka. Rama ka dështuar. Rama dështoi me politikat e tij, dështoi me vendet e reja të punës. Rama dështoi me taksat e larta, Rama dështoi me policinë. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tua ka dy arsye. Një ose je kriminel dhe vrasës, dhe tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Nuk mund të lejojmë Edi Ramën që të varfërojë shqiptarët dhe t’i detyrojë ata të largohen nga Shqipëria. Ka më shumë se 3 muaj që banorët e Unazës së Re kanë denoncuar një falsifikim, kanë denoncuar një vjedhje si ajo që ka bërë “DH Albania” e cila vodhi 18 milionë Euro. Kam dëshirë të dëgjoj Prokurorinë Shqiptare ku është me falsifikuesin e firmës.

Çfarë po bën prokuroria me Damian Gjiknurin, çfarë po bën prokuroria me Arben Ahmetajn që bilbilos sot në Parlament si nuse e bukur me paratë që ka vjedhur. Ne do të jemi çdo seancë parlamentare këtu, do të shkojmë ku të shkojnë këta. As plumbat nuk kanë për t’i ndaluar qytetarët, ashtu siç nuk i ndaluan në ’90, ashtu siç nuk i ndaluan në ’97, as tani nuk do t’i ndalojnë sepse e drejta është me ne”

, u shpreh Monika Kryemadhi.

/tvklan.al