Protestues të shumtë janë grumbulluar në Tiranë këtë të shtunë në protestën e thirrur nga opozita. Ata marshuan në bulevardin Dëshmorët e Kombit drejt Kryeministrisë, ndërsa atyre iu është bashkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, si dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

Partia Demokratike sqaron se në këtë tubim do të ketë fjalime nga qytetarët dhe jo nga liderët e opozitës. E para që do ta marrë fjalën do të jetë një vajzë nga Shkodra.

“Protesta nuk do të ketë fjalime nga kryetarë partish. Fjalën e kanë vetëm qytetarët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kreut të opozitës për të marrë fatin në duart e tyre. Protesta do të hapet nga një vajzë e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën përfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës. Do të ketë përfaqësues nga biznesi i vogël, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre”

, thuhet në një reagim për mediat të PD.

Protestuesit u nisën nga rrethet që në orët e para të mëngjesit dhe sipas Partisë Demokratike, numri i tyre është rreth 50 mijë.

Rreth 1500 efektivë policie janë në gadishmëri, ndërsa prezencë e shtuar e tyre vihet re në godinën e Kryeministrisë. Në gadishmëri janë edhe forcat e Ushtrisë, ambulanca dhe shërbimet zjarrfikëse.

Ndërkohë, teksa opozita proteston në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vlorë, në një takim me qytetarët atje.

/tvklan.al