Protesta e opozitës u përshkallëzua shumë shpejt në dhunë mesditën e kësaj të shtune. Të mbledhur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, protestuesit hodhën fillimisht shashka e molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Pasi çanë kordonin e policisë, protestuesit iu drejtuan institucionit të Kryeministrit dhe përdorën sende të forta në drejtim të dyerve, duke thyer edhe xhamat.

Në kundërpërgjigje, policia hapi fillimisht ujë, në mënyrë që t’i largonte nga hyrja e Kryeministrisë. Autoritetet policore përdorën gjithashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Disa persona mbetën të lënduar, mes tyre edhe efektivë policie. Pjesa më e madhe e protestuesve shfaqën probleme për shkak të gazit lotsjellës.

Teksa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard, situata momentalisht duket e qetë. Megjithatë herë pas here nuk mungojnë tentativat e protestuesve për të sulmuar godinën e Kryeministrisë. Sa herë kjo ndodh, policia kundërpërgjigjet me ujë e gaz lotsjellës.

Ndërkohë, në disa deklarata të njëpasnjëshme, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se dhuna ishte një skenar i nxitur nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga kreu i qeverisë dorëheqjen.

Vetë Kryeministri Edi Rama zgjodhi që përmes një postimi në Twitter t’i kërkonte ndjesë autorit të veprës së artit “Kërpudha”, e vendosur në oborrin e Kryeministrisë, që u shkatërrua nga protestuesit, duke i thënë se kjo nuk është Shqipëria dhe shqiptarët.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili kërkoi vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.

E njëjta kërkesë erdhi edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe nga Prezenca e OSBE në Shqipëri. Njëzëri ata dënuan ashpër aktet e dhunës.

Momentalisht mbetet e paqartë sesa do të zgjasë kjo protestë, apo si do të vijohet më tej. Opozita kërkon largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhjet.//tvklan.al