Ashtu sikurse Tv Klan lajmëroi, maxhoranca ka vendosur që seanca plenare e të enjtes të mos zhvillohet ndërkohe që jashtë dyerve të parlamentit do protestojë opozita. Gramoz Ruçi i cili ka bërë publik vendimin rreshton arsyet që e çuan në këtë vendimmarrje.

Opozita është përgjegjëse vetë për veprimet dhe mos veprimet e veta. Nëse vendo t’i bjerë murit me kokë dhe merr përsipër tërë pasojat me idenë se do të ndalë reformat duke filluar nga ajo në drejtësi, kjo është ekskluzivitet i saj. Shumica ka detyrë të mbrojë stabilitetin e vendit. Në këto kushte duke pasur parasysh apelin e partnerëve strategjikë, informacionet e organeve ligjzbatuese duke ndjekur ruajtjen e integritetit të Kuvendit dhe deputetëve, ftoj kolegët, të më mirëkuptojmë për të mos e zhvilluar seancën e datës 21 Shkurt, ditën e enjte në orën 10:00.

Ruçi shpreh keqardhjen për vendimin e opozitës për djegien e mandateve, por është i qartë se shumica nuk do t’i japë pushtet në tavolinë.

Nuk do të doja kurrë realizimin e skenarin të opozitës, për djegien e mandateve, pasi një opozitë që vetëvritet politikisht i bën dëm shumë të madh vendit. Kjo është një kamikazllëk politik dhe dëmton rëndë mjedisin politik. Ultimatumet nuk janë demokratike, pushteti nuk merret në tavolinë.

Kryetari Kuvendit thotë se qëndrimi i opozitës po cenon procesin për çeljen e negociatave.

Kjo situatë cenon edhe negociatat, që negociatat të vendosen në pikëpyetje kjo është e kuptueshme për ne nga të tjerët, por të vendosen për qëndrimet politike brenda vendit është e pajustifikueshme. Vlerësoj angazhimin e ndërkombëtarëve. Jam shumë i shqetësuar për këtë situatë.

Vendimi për shtyrjen e seancës së ditës së enjte ashtu siç dhe Ruçi la të kuptohet ka ardhur dhe si këmbëngulje e faktorit ndërkombëtar. Ambasadori i BE dhe e ngarkuara me punë e SHBA, të cilët kanë dënuar dhunën e ushtruar në protestës dhe janë pozicionuar kundër djegies së mandateve nga ana e opozitës, janë parë shumë aktiv këtë javë në takime si me kryeministrin ashtu dhe 2 kryetarët e partive opozitare.

Tv Klan