Pasi bëri publike masat për samitin e 6 Dhjetorit, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, u pyet edhe për masat që janë marrë në lidhje me protestën që ka paralajmëruar PD në të njëjtën ditë.

Ai u shpreh se  policia i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike ku ka adresuar kufizimet në lidhje me samitin. Sipas Jaupit, pjesa tjetër e bulevardit, sheshi “Skënderbej” apo ambientet e tjera që mendohen për të zhvilluar tubimin, PD është në të drejtën e saj që të njoftojë se ku do të zhvillohet.

“Për pyetjen direkte dua t’ju bëj me dije që policia ka kthyer një përgjigje drejtuesve që kanë bërë kërkesën në polici për të zhvilluar një miting. Përgjigja jonë është bërë tashmë publike dhe i kemi adresuar të gjitha kufizimet që Policia e Shtetit ka sa i përket këtij aktiviteti, pra samitit. Ndërsa pjesa tjetër e bulevardit, sheshi “Skënderbej”, apo çdo ambient tjetër që mendojnë për të zhvilluar tubimin është në të drejtën e tyre që ta bëjnë njoftimin dhe të na thonë se ku do të zhvillohet. Natyrisht që ne do të marrim masa dhe për mbarëvajtjen e atij tubimi, por pasi të kemi rënë dakord për vendin ku do të zhvillohet”, u shpreh Jaupi./tvklan.al