Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish bindjen se audio-përgjimi i pretenduar për vëllain e ministrit të Brendshëm nuk është i vërtetë.

Duke folur në Parlament, Rama u bëri thirrje qytetarëve që ta mendojnë dy herë pjesëmarrjen në protestën e opozitës ditën e shtunë, duke u thënë se ky është një skenar i trilluar dhe të mos përdoren nga Partia Demokratike.

Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje gjithashtu Prokurorisë që të sjellë sa më shpejt rezultatet e analizës shkencore të materialit audio, për të konfirmuar nëse është autentik apo jo.

Historinë e përfshirjes së pretenduar të Agron Xhafajt në këtë audio-përgjim, Rama e cilëson si një skenar për destabilizimin e vendit dhe që synon të pengojë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Historia e këtij audio-përgjimit ka një fund të qartë. Bëhet fjalë për një fakt, për një provë që ose është autentike ose është e fabrikuar. Nuk ka nevojë ta thotë askush këtu në Shqipëri. Unë e di rezultatin sepse e kam kërkuar që atë ditë ta mësoj. Ajo që thuhet që kanë thënë që këtë që prokuroria e kapur prej tij të thotë këtë, është qesharake. Prokuroria s’do thotë asgjë. Prokuroria duhet ta çojë atë material në laborator shkencor të kujtdo vendi partner të Shqipërisë. Nuk është analizë opinioni, është analizë shkencore. Dhe unë që ju kam thënë publikisht që kjo është një histori banale dhe audio-përgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar, po ju them që historia pas audio-përgjimit është akoma më e hatashme.

Janë vetëm aktorë, luajnë rolin. Kam shumë shpresë që do të dalin nga hetimi skenaristët, regjisorët dhe producentët. Ai ditëziu është si ata figurantët e filmave të neorealizmit italian. Historia është shumë herë më serioze se sa duket. Le t’ia lëmë Prokurorisë. Ajo që na duhet, është të vijë përgjigjia e analizës shkencore. Do dalë një tallje e madhe që synon destabilizimin e vendit. Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë kur të mësoni se keni dalë në protestë njësoj siç shkohet në kinema, për të mbushur sallën e kinemasë. So do ju duket kjo? Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Mendojeni njëherë këtë që po ju them që mos t’ju duket vetja të keqpërdorur”

, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al