Protestën e studentëve që vazhdon prej më shumë se një jave, Kryeministri Edi Rama nuk e konsideron çështje tarifash, por shumë më tepër se kaq. Në një komunikim live në Facebook që zgjati 90 minuta, kreu i qeverisë shqiptare apeloi disa herë që studentët të dialogojnë me të që të zgjidhin të gjitha problemet në Universitete.

“Nuk është çështje tarifash, por është shumë më tepër se kaq”

, ka përsëritur disa herë Rama gjatë fjalës së tij të gjatë.

Kryeministri u shpreh i gatshëm për të bërë çdo gjë për studentët, me kusht që ata të ulen të për të diskutuar të gjitha çështjet e parashtruara prej tyre.

“E keni kollaj të gjuani me shishe Lindita Nikollën, por s’keni ngritur njëhërë zërin kur ju kanë poshtëruar. Unë nuk bëj asnjë gjë për ju, ose hajdeni t’i bëjmë bashkë ose rrini. Unë për ju bëj gjithçka nëse ju jeni gati të luftoni për veten tuaj. Sharjet i bëni në Facebook dhe gjithë trimërinë që tregoni në Facebook, ta tregoni me dinjitet kur një pedagog guxon t’iu afrohet. Hajdeni te unë. Jemi më të fortë po të vini te unë. Ta luftojmë bashkë atë pedagogun”,

tha Kryeministri Edi Rama.

Sa i përket tarifave, kreu i qeverisë shqiptare tha se ka një platformë që synon të subvencionojë studentët ekselentë dhe ata me ndihmë ekonomike, që tejkalon uljen 50% të tarifave që kërkojnë vetë protestuesit. Kjo do të bëhet përmes një pakete financiare që do të subvencionojë kategori të caktuara studentësh nga taksat. Por për të bërë këtë gjë, Rama theksoi se duhet që studentët të ulen në dialog me të dhe jo të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë, teksa e cilësoi absurd faktin që ata refuzojnë çdo takim apo bisedë me qeverinë.

“Ne jemi gati që tarifat t’i mbështesim sipas kategorive, më shumë se 50% nga taksat, por është paketë”,

deklaroi ai.

Kryeministri preku edhe kushtet e konvikteve, një tjetër kërkesë e protestuesve, për të cilën tha se Qyteti Studenti do të shndërrohet në një kampus universitar. Rama shpjegoi se i ka kërkuar ndihmë Kancelares gjermane Angela Merkel për këtë projekt, për të cilin thotë se është në proces.

“Janë 18 milionë Euro që ka filluar investimi dhe është projekt në fazën e parë. Janë godina që kursejnë dhe energji. E vërteta është kjo. Këtu mbyllin sytë kush nuk do projekte. Ky është kampusi i Tiranës, Qyteti Studenti që kthehet në një kampus në Tiranë. Te kampusi te Qyteti Studenti kemi gjetur kthime dhe kompensime të pronave të Saliut dhe projektet e zhvillimit të Lulit. Ne po mendojmë, pse vetëm tarifat e shkollës? Po tarifat e konvikteve? Në ato kushte mizerje, nuk mundet Qeveria të marrë përgjegjësi sado të vogël? S’mund t’i rindërtojmë të gjitha përnjëherë”.

Sa i përket bordeve të administrimit të të Universiteteve, Rama bëri një propozim të ri. Ai u dha të drejtën studentëve që të propozojnë një emër nga radhët e tyre, në mënyrë që të kenë një përfaqësues. Por për të bërë këtë, Kryeministri përsëriti sërish thirrjen që studentët duhet të ulen në dialog me qeverinë nëse janë realisht të interesuar për problematikat e Universiteteve.

“Studentë, zgjidheni vetë anëtarin e bordit të administrimit në universitete dhe qeveria është gati tua miratojë”.

Ftesa ndaj tyre u ripërsërit edhe në mbyllje të fjalimit të gjatë të Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh i gatshëm që t’i mirëpresë në çdo kohë dhe kudo, madje edhe në studio televizive, për të bërë një debat me ta pikërisht për të reformuar tërësisht Universitetet.

“Vetëm thoni, hajdeni këtu dhe do ju pres, në Kryeministri, apo dhe në studion e Fevziut. Kjo nuk është një betejë mes studentëve dhe qeverisë, ne jemi në një anë”.

Rama: Kërkesat e studentëve do të zgjidhen

Kryeministri Edi Rama tha se ka 3 ditë që u bën ftesë studentëve të bashkëbisedojnë, pasi kërkesat e tyre do të plotësohen.

Edi Rama: “

Prej 3 ditësh unë i kam kërkuar studentëve që të ulemi dhe të diskutojmë, e para herë në historinë kur thuhet se nuk duhet të diskutojmë, unë jam këtu se dialogu është i domosdoshëm dhe do vijoj të shpjegoj pse dialogu është rruga e duhur. Këtu në Shqipëri ka veshë, kërkesat e tyre do të plotësohen. 

Qeveria nuk ka kërkuar negociata. Duhet të bisedojmë sepse duhet të dimë cilat janë kërkesat. Unë kam 7-8 kërkesa të ardhura në rrugë të ndryshme. Në momentin kur qeveria thotë hajde të flasim, nuk kam dëgjuar ndonjëherë në histori që të thuhet nuk pranojmë të flasim. Nuk është kjo Shqipëria ku thuhet o bëjë këtë, o u bë nami. I

 vetmi rast kur unë kam dëgjuar këtë lloj refuzimi për dialog është me opozitën e sotme, është me Lulzim Bashën, i cili u fut në çadër dhe thoshte plotëso kërkesat. Hajde, të diskutojmë, jo plotëso kërkesat. Sesi shkuan punët, ajo dihet, prandaj hajdeni të diskutojmë. Hajde flasim. 

Dua të bëj një pyetje, protesta është politike apo nuk është politike? Edhe pse thonë nuk është politikë nga ana tjetër janë telefon i prishur i partive politike. 

Mos e ndaloni protestën, vazhdoni dhe protestoni”.

Kryeministri Rama-studentëve: Problemet shtrohen në tryezë me qeverinë

Kryeministri Rama:

Askush nuk duhet ta provojë se qëllimet e përbashkëta arrihen me ultimatume dhe forma që nuk i njeh eksperienca demokratike. Edhe rasti i fundit në Francë, vonesa në reagim dhe sidomos mosgatishmëria e menjëhershme për të dialoguar me ata që ishin në rrugë, çon në përshkallëzime që janë të padëshiruara. Eksperienca demokratike thotë se qëllimi i protestave demokratike të shtrohet një problem në tryezë me qeverinë.

S’doni të dialogoni? Është e drejta juaj! Rrini atje protestoni. Por mos mendoni që kërkesat duhet që ne t’i nxjerrim nga koka e secilit, t’i përpunojmë dhe ta bëjmë këtë një lojë kungulleshkash. Është e qartë, unë jam me çdo student dhe do isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshinjtë. Por për veten e tij dhe për shtëpinë e tij. Jam me çdo prind që mbështet çdo student që është aty për veten e tij. Këta profesorë që dalin nëpër banaqe se kujtojnë që ju erdhi dita apo të bëjnë ata tani një Dhjetor të dytë, pavarësisht se çfarë flitet unë nuk hyj te ata Kryeministra që mendojnë se i dinë të gjitha. Unë këtë punë mund ta bëj shumë më mirë sa më shumë të kem veshët hapur”.

“Sot kemi 100 % universitete të akredituara”

Kreu i qeverisë foli dhe për akreditimin e universiteteve ku vite më parë shumica e tyre ishin të pa akredituar.

Kryeministri Rama:

Kam parë shumë komente të cilat flitet se këtu situata është siç ka qenë, por e vërteta është se këtu ne kemi gjetur një situatë, mos o Zot. Me 59 universitete të arsimit të lartë dhe 44 privat. 8 herë më shumë se Britania e Madhe duke krahasuar me popullsinë që kemi.

Në 2013 nuk kishte universitet publike të akredituara. Ne e kemi kaluar në qasje tjetër. Ne kemi ecur me akreditimin e universiteteve. Sot kemi 100 % universitete të akredituara. Ju jeni aleatët e mi dhe unë dua të luftoj bashkë me ju. Prandaj ndahuni nga ata që ju thonë mos dialogoni. Ju hajeni këtu për të folur së bashku.

“Subvencionim për studentët ekselentë dhe me ndihmë ekonomike”

Kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm të rishikojnë tarifat universitare të studentëve, por sipas një pakete që do të mbështesë financiarisht studentët ekselentë dhe ata që janë me ndihmë ekonomike. Kjo do të thotë tejkalim i uljes 50% të taksave universitare, që në fakt është kërkesë e studentëve.

Kryeministri Rama:

Asnjë tarifë nuk ka ndryshuar që vitin 2014. Reforma nuk i ka prekur tarifat. Në Malin e Zi ka të ardhura pak më shumë se ne. Tarifa në Bachelor është 1500 Euro. Kështu që këto muhabete është mirë që të mos i bëjmë. 

I gatshëm për të shkuar më tej kërkesave tuaja për tarifat. Jo vetëm 50%, por t’ua subvencionojë shteti 100% atyre me 9-ta dhe 10-ta dhe atyre në ndihmë ekonomike. 

Ne jemi gati që tarifat t’i mbështesim sipas kategorive, më shumë se 50% nga taksat, por është paketë. S’mund të jetë kështu, o ba dua Lekë”.

Rama: Zgjidheni ju anëtarin e bordit administrativ

Kryeministri Edi Rama propozoi krijimin e bordit të administrimit, ku i kërkoi studenteve që ti propozojnë një emër.

Edi Rama:

“Studentë, zgjidheni vetë anëtarin e bordit të administrimit  në universitete dhe qeveria është gati tua miratojë.Jam i gatshëm dhe pres të më sillni një emër për të krijuar një bord administrativ, si të dëshironi ju dhe kë emër të vendosni ju. Kjo është hera e parë që krijohet një bord administrimi”.

Rama: Për konviktet e studentëve i kërkova ndihmë kancelares Merkel

“Konviktet e studentëve ja kam kërkuar Kancelares Angela Merkel këtu kur ka ardhur në Tiranë. Si përfundim janë 18 milionë Euro që ka filluar investimi dhe është projekt në fazën e parë. Janë godina që kursejnë dhe energji. E vërteta është kjo. Këtu mbyllin sytë kush nuk do projekte. Ky është kampusi i Tiranës, Qyteti Studenti që kthehet në një kampus në Tiranë. Te kampusi te Qyteti Studenti kemi gjetur kthime dhe kompensime të pronave të Saliut dhe projektet e zhvillimit të Lulit. Ne po mendojmë, pse vetëm tarifat e shkollës? Po tarifat e konvikteve? Në ato kushte mizerje, nuk mundet Qeveria të marrë përgjegjësi sado të vogël? S’mund t’i rindërtojmë të gjitha përnjëherë. Ky s’është Dhjetori i fundit. Në çdo konvikt ku s’ka kushte, deri kur të rikonstruktohet, qeveria duhet t’i thotë prindit “ndjesë, kaq e kemi ne mundësinë, do japim dhe ne kontribut”. Po ku do e merrni ju këtë? Te sheshi? Sheshi i Qytetit Studenti është “tokë e xanun”. Do të jetë projekt që do të angazhohemi. S’e keni kërkuar, do ta bëjmë ne. Është plan i bërë”

.

Rama: Rektorë dhe dekanë nuk ua kishim borxh ju për vendosjen e këtyre tarifave

“Pasi pashë këtë protestë u ndjeva keq dhe i thashë ministres së Arsmitit Lindita Nikolla thirr urgjent dekanët lidhur me këtë VKM, pasi VKM e bërë në muajin Maj, ishte një befasi për të gjithë studentët. Që do të thotë është marrë vendimi për të vendosur një tarifë dhe nuk u është thënë studentëve. Nuk ka asnjë nen, tarifë të ligjit që nuk është konsultuar me dekanët dhe rektorët. Lindita Nikolla si të gjithë të tjerat ka të metat e veta, por është konsultuar për çdo gjë me ju edhe për VKM, ndërsa ju nuk konsultoheni me studentët? Dua t’u them rektorëve dhe dekanëve nuk ua kishim borxh këtë gjë. Edhe pse ju jeni kujtuar tani për tarifat si dhe për pedagogët që keni pakënaqësi. 

Tani keni filluar të belbëzoni, se deri dje nuk ndiheshit. Cila është arsyeja që janë rritur tarifat ?Tarifat i vendos universiteti dhe ne nuk mund ta ndryshojmë.

 

Kryeministri Rama tregon prapaskenat me ish-zv/ministrin e Arsimit Taulant Muka

Ish-zv/ministrin e Arsimit Taulant Muka që qëndroi në detyrë vetëm disa ditë, Kryeministri Edi Rama e konsideron “larvë politike”. Kreu i qeverisë shqiptare tregon si Taulant Muka zuri postin e zv/ministrit të Arsimit, pasi akuzoi paraardhësin e tij për plagjiaturë të diplomës.

Edi Rama:

“Ai larva politike ka dalë në televizor dhe të tregojë si Edi Rama ka marrë doktoraturën. Unë s’jam Doktor, jam një piktor shqiptar që e kam pasion deri në sëmundje këtë vend. Luftoj për idetet e mia, për bindjet e mia, por luftoj aman. Kam dhe këtë zanatin e Facebook. Aty jemi të barabartë, s’jam Kryeministër. Taulant Muka më erdhi me një grup pedagogësh dhe kërkoi takim me Lindita Nikollën, e priti dhe më tha Lindita Nikolla që një djalë që është në Zvicër ka një ide. I thashë bjeri këtu, kjo është e vërteta. Erdhën në zyrën time. Më shtroi platformën e tij. I thashë ku je ti. Unë në Zvicër, tha, në një katedër shkencëtarësh. I thashë ti në Zvicër dhe na hedh shashka këtu dhe na tregon si ta bëjmë, nuk shkon. Do vish ta bësh ti i thashë. Ai zv/mimnistri që ti akuzon, të shkosh ti në vend të tij. Kjo është diçka që se prisja më tha. I thashë kjo është gjëja që unë propozoj. Ose i thashë ik edhe kjo s’bëhet. Çfarë bëri? Ditën e parë dua veturë me shoferë! Por nuk kanë vetura zv/ministrat. Po banjon pse nuk e kam në zyrë? Babain e dua shofer të punësuar në Ministri. U thashë çfarë bën ky? Unë s’e takova më. Jep dorëheqjen dhe thotë Edi Rama është një mësues vizatimi. Pra një larvë, këtë mendoj unë për këtë”.

Rama: Jam i gatshëm t’ju pres për dialog kudo, edhe tek studio e Fevziut

“Studentët sot janë rrugëve dhe nuk bëjnë asnjë punë, sepse s’kanë kulturë pune, nuk dinë të punojnë, pasi atëherë nuk bënin mësim. Është turp trup, por duhet të luftojmë sëbashku për ta hequr këtë turp. Është koha për tu u ulur bashkë. Unë këtu jam. Nuk dua as përfaqësi me emra, le të vinë 20, 100 studentë, hajdeni ju që nuk ja u japin megafonin. Apo kur të vendosë, Monika, Taulant Muka, apo Arlind Qorri. Vetëm thoni, hajdeni, këtu dhe do ju pres, në kryeministri, apo dhe në studion e Fevziut. Kjo nuk është një betejë mes studentëve dhe qeverisë, ne jemi në një anë. Bashkë me të gjithë pedagogët, prindërit. Qeveria nuk është pa mëkate, ka kusuret e veta. Hajdeni ta diskutojmë me qeverinë”

.

 

/tvklan.al