Një oficer policie në Hong Kong u qëllua me një shigjetë gjatë rrethimit të një kampusi universitar.

Qindra protestues me tulla në duar, bomba e shishe benzine janë përplasur me policinë në rrugët përreth kampusit. Autoritetet nga ana tjetër u janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji gjatë përplasjes së fortë të së dielës.

Ndërsa dhuna është përshkallëzuar ditët e fundit, protestuesit kanë filluar të përdorin harqe dhe shigjeta kundër policisë, ndërsa sipas CNN raportohet se një oficer ka mbetur i plagosur.

Protestat në Hong Kong kanë nisur rreth gjashtë muaj më parë pas një projekt-ligji të bërë publik në muajin qershor, i cili ndezi diskutimet dhe studentët u ngritën në marshime e protesta.

Por situata agravoi duke i tensionuar edhe më tepër pas ngjarjes së rëndë ku pak kohë më parë një 22-vjeçar humbi jetën.

Kur qeveria pezulloi por nuk e tërhoqi projektligjin, studentët shtuan thirrjet për demokraci, ndërsa vijuan të qëndrojnë në universitet duke protestuar dhe duke paraqitur ankesat.

Protestuesit filluan të rrethojnë kampuset universitare në të gjithë qytetin, duke u përplasur me policinë. Mbrëmjen e së shtunës policia u përpoq të pastrojë rrugët përreth Universitetit Politeknik, por u detyrua të tërhiqet pasi protestuesit filluan zjarret në rrugë dhe hodhën lëndë djegëse. /Tvklan.al