PSD-ja kundërshton vetëmenaxhimin që sipas tyre nënkupton autonomi komunitetit serb në Kosovë

Kundër Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Partia Socialdemokrate e Kosovës protestoi dhe e quajti marrëveshjen “një faqe të keqe”, ndërsa akuzoi Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, se është dorëzuar për të krijuar bashkësinë e komunave me shumicë serbe, që sipas kreut të PSD-së Dardan Molliqaj, do t’i japë autonomi komunitetit serb në Kosovë.

“Askush në Kosovë nuk beson se duhet të krijohet entitet politik, paralel e etnik. Andaj, besojmë se duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndalur Qeverinë, e cila është e qartë se u dorëzua para nevojës për të mbajtur pushtet.”

Kosova dhe Serbia ranë dakord më 27 Shkurt në Bruksel për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe më pas më 18 Mars, në Ohër ranë dakord për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Në tekstin e marrëveshjes, neni 7 përmend sigurimin e një “niveli të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, që sipas Molliqajt nënkupton themelimin e Asociacionit. Megjithatë, Kurti ka thënë se fjala vetëmenaxhim nuk mund të barazohet me Asociacion.

 “Tani që ka vendosur ta themelojë Asociacionin, nuk po e quan më as ‘Zajednicë’, as Asociacion, por po pretendon ta quajë vetëmenaxhim. Nuk ka emër që e zëvendëson atë që po i ndodh Kosovës. Ajo që po i ndodh Kosovës është e qartë: është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë. Dhe po ashtu, zona të veçanta me karakter ekstraterritorial përreth kishave dhe manastireve ortodokse.”

Në protestën e organizuar të shtunën nga PSD-ja, që nuk është parti parlamentare, morën pjesë dhjetëra persona. Protestuesit zëvendësuan flamujt e Kosovës, të vendosur te ndërtesa e Qeverisë, me flamuj të bardhë, për të simbolizuar “dorëzimin” me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Klan News